Kryeqyteti pa autobusë, Trafiku Urban me paralajmërim të ri, Rama thotë se nuk u janë transferuar paratë

Nga e hëna e javës së kaluar kryeqyteti ka mbetur pa transport publik. Sipas kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, kjo është pasojë e bllokimit të të hyrave vetanake të komunës. Për këtë, të enjten asambleja e Prishtinës miratoi bartjen mjeteve buxhetore nga viti 2024, mirëpo Rama pak më parë tha se një gjë e tillë nuk është kryer nga Ministria e Financave. Dikasteri që udhëhiqet nga Hekuran Murati ende s’është deklaruar për këtë.

 

Qe më shumë se një javë “Trafiku Urban” ka ndërprerë qarkullimin e të gjitha linjave në Prishtinë, gjë që ka shkaktuar shumë kolona.

“Gjatë ditëve të fundit jeni njoftuar për vështirësitë financiare me të cilat po përballet ndërmarrja. Si pasojë e këtyre vështirësive dhe mungesës së karburanteve, përkundër vullnetit tonë, jemi të detyruar të ndërpresim qarkullimin e të gjitha linjave të Trafikut Urban, duke filluar nga e hëna, 24.11.2025”, thuhet në njoftimin e 23 nëntorit.

Ata kanë protestuar disa herë duke kërkuar nga Ministria e Financave që t’ia lëshojë mjetet komunës së Prishtinës, në mënyrë që kjo e fundit t’i shlyejë obligimet financiare ndaj ndërmarrjes. Sot, përfaqësuesi i  Trafikut Urban, Elmi Gashi, ka paralajmëruar se nësë do të ketë vonesa do të ndërmarrin veprime radikale, duke përmendur bllokimin e qytetit me autobusë.

Protestës iu bashkua edhe kryetari Përparim Rama, i cili kërkoi që të takohet me Kurtin e Muratin, por sipas tij, ata refuzuan.

“Me keqardhje të thellë e them: nuk kam besuar kurrë se qytetarët e këtij vendi do të viheshin në rrezik për interesa zgjedhore. Buxheti i Kryeqytetit është përdor si mjet në zgjedhjet lokale. Zgjedhjet kanë përfunduar. Qytetarët votuan për zhvillim, jo për bllokim”, ka thënë Rama.

Kuvendi komunal i Prishtinës u mblodh të enjten e 27 nëntorit ku u miratua bartja e mjeteve të vitit 2024, në vlerë prej 28 milionë euro.

“Uroj që ministri në detyrë ta mbajë fjalën për alokimin e mjeteve të votuara sot. Si dhe 25M të hyra vetanake dhe 10M grant qeveritar, në total 35Milion që ende mbahen të bllokuara dhe që nuk kërkojnë asnjë procedurë në Asamble, por vetëm vullnetin e ministrit në detyrë për miratim”, ka shkruar Rama pas miratimit.

Mirëpo edhe pse kanë kaluar disa ditë, këto mjete akoma nuk janë alokuar nga Ministria e Financave.

Kështu tha sot Përparim Rama, në një postim në Facebook.

“Më 27 nëntor, Asambleja Komunale e Prishtinës miratoi bartjen e mjeteve buxhetore nga viti 2024. Sot, 2 dhjetor, mjetet ende nuk janë bartur nga Ministria e Financave në buxhetin e Komuna e Prishtinës!!!”, ka shkruar ai.

Kjo e demanton asamblistin e Lëvizjes Vetëvendosje, Gëzim Sveçla, i cili ka thënë se Ministria e Financave përmes Thesarit ia ka transferuar Komunës së Prishtinës 28 milionë eurot.

Për këtë çështje ende nuk ka ndonjë reagim nga Ministria e Financave.