Analisti politik, Agon Maliqi ka reaguar për nivelin e zhvillimit në Kosovë dhe në vendet e tjera të Ballkanit, duke theksuar se rajoni mbetet shumë larg standardeve të jetesës në Bashkimin Evropian.
Maliqi në Facebook ka thënë se ekonomikisht asnjë vend i Ballkanit nuk e arrin as gjysmën e mesatares së BE-së, edhe pse disa shtete kanë shënuar përafrim të lehtë.
Ai tutje ka thënë se Kosova renditet e fundit, duke arritur vetëm 25% të mesatares së BE-së, dhe se ky nivel ka stagnuar për më shumë se një dekadë, pa asnjë afrim real me vendet evropiane.
E për këtë fajëson qeverisjen Kurti, duke thënë se vendi po humb në fusha që duhet të ishin prioritare.
“FABRIKË PËR MËRGIM Sa po afrohen Kosova dhe vendet e Ballkanit me standardet e jetesës në BE?
Ekonomikisht asnjë vend i rajonit nuk e arrin as gjysmën e MESATARES së vendeve të BE, edhepse disa shtete po përafrohen. Kosova është e fundit te niveli i 25% të mesatares së BE dhe prej një dekade po stagnon (nuk po përafrohet). Në shëndetësi dhe arsim, Kosova me qeverisjen e saj “të majtë” po shënon rënie relative në raport me BE dhe mbetet te 60% e mesatares së BE.Ky është rezultat i zgjedhjes së gabuar të prioriteteve dhe i popullizmit që sundon me frikë dhe nacionalizëm gjasmë në emër të “dinjitetit”. Dinjitet të cilin njerëzit – kur “u del pija” – po e gjejnë jashtë duke ikur. Burimi: Convergence2EU (WIIW)”, shkroi Maliqi.











