Dikur Albin Kurti e quante kompaninë energjetike EFT “rrezik kombëtar” dhe kërkonte largimin e saj të menjëhershëm nga tregu i Kosovës. Sot, nën udhëheqjen e tij, e njëjta kompani është furnizuesja kryesore e energjisë për vendin. Kjo mospërputhje mes deklaratave të dikurshme dhe realitetit aktual është pikërisht ajo që prej muajsh po e denoncon ekspertja e energjisë Janina Ymeri.
Ymeri ka ngritur vazhdimisht alarmin për mënyrën se si Kosova po furnizohet me energji nga EFT dhe për shumat enorme të shpenzuara nga Qeveria për import. Ajo kujton se para gjashtë vitesh Kurti kishte dalë publikisht kundër kësaj kompanie, duke pretenduar se prapa saj fshiheshin struktura të lidhura drejtpërdrejt me ish-regjimin serb.
Në intervistën e atëhershme, Kurti deklaronte:
“Firma ka dy pronarë. Njëri është Vuk Hamoviq, djali i shefit të Shtatmadhorisë së Armatës Popullore të Jugosllavisë. Tjetri është djali i Aleksandar Rankoviqit. Të dy jetojnë në Londër dhe janë të listuar në bursë.”
Ai shkonte edhe më larg, duke kërkuar që EFT të hiqej nga tregu i energjisë në Kosovë dhe Shqipëri:
“Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë duhet ta heqin EFT-në. Ne nuk mund të quhemi shqiptarë nëse vazhdon të na dominojë EFT-ja.”
Kurti pohonte se këtë çështje e kishte diskutuar edhe me kryeministrin Edi Rama:
“Idetë e mia e kanë vënë në mendime Ramën.”
Sot, sipas Ymerit, këto deklarata kanë mbetur vetëm pjesë e së kaluarës, ndërsa në praktikë Kosova vazhdon të varet nga furnizimet e EFT-së.
“Kurti tha se nuk mund t’i themi vetes shqiptarë nëse na dominon EFT-ja. Saktë — mirë e din. Por si mund të bëhet përjashtim tani, në këtë pushtet ‘VukVendosje’?”, shkroi Ymeri.
Ajo thekson se vetëm gjatë këtij viti Qeveria ka shpenzuar 220 milionë euro për import të energjisë, ndërsa përfituesi kryesor i këtyre transaksioneve është pikërisht EFT, kompania e drejtuar nga Vuk Hamoviq.
Për këtë arsye, Ymeri ka kërkuar nga ZRRE pezullimin e licencës së EFT-së në Kosovë, duke kujtuar se kompania është ndëshkuar në Rumani për shkelje të rënda në sektorin energjetik.
“EFT në Rumani është ndëshkuar. Ndërsa në Kosovë, ZRRE ende nuk ia ka pezulluar licencën. Më 28 nëntor po i japim hapësirë armikut tonë të furnizojë vendin me energji elektrike”, tha ajo.











