DOKUMENTE| Prishtina bart 28.6 milionë euro në 2025 – vetëm 2.7 milionë për mallra e shërbime, kriza zbutet përkohësisht

Javën e kaluar, Kuvendi i Kryeqytetit miratoi vendimin për bartjen e 28,645,606.06 eurove të pashpenzuara të të hyrave vetanake nga viti 2024 në vitin 2025. Ky veprim, i bazuar në nenet përkatëse të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe Statutin e Prishtinës, synon të mundësojë vijimin e projekteve kapitale dhe mbulimin e një pjese të obligimeve të akumuluara. Demokracia.com shellë detaje se ku janë destinuar mjetet.

Sipas të dhënave të Komunës, edhe pse përmasat e bartjes janë të larta, efekti në stabilizimin financiar të Prishtinës pritet të jetë vetëm i përkohshëm. Kryeqyteti vazhdon të jetë thellësisht në krizë, me borxhe të mëdha në kategorinë e mallrave dhe shërbimeve dhe pa buxhet të miratuar për vitin 2026.

Si ndahen mjetet e bartura?

Bazuar në tabelat që i ka pasur Demokracia.com, mallrat dhe shërbimet do të jenë 2,739,305.06 euro, ndërsa pjesa tjetër e mjeteve destinohet për investime kapitale. I gjithë ky buxhet ishte bartur nga viti paraprak, por nuk ishte arritur të shpenzohej në kohë kategorinë e investimeve kapitale.

Ligji nuk lejon që komuna të orientojë më shumë se një shumë modeste të të hyrave vetanake drejt mallrave dhe shërbimeve. Për këtë arsye, vetëm rreth 2.7 milionë euro janë lejuar të destinohen në këtë kategori – ndonëse është pikërisht kjo kategori ku Prishtina ka borxhet më të mëdha.

Shpërndarja sipas nënprogrameve:

Infrastruktura publike – 1,859,305.06  euro
Për mbulimin e humbjeve nga transporti publik privat, pastrimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve, trotuareve, ndriçimit publik, si dhe për kthimin e mjeteve të marra nga Thesari për përmbarim.

Shëndetësia primare – 180,000.00  euro
Të hyrat vetanake të kësaj fushe mund të përdoren vetëm për shëndetësi.

Arsimi parashkollor – 700,000.00  euro
Të hyrat e arsimit, me ligj, mund të përdoren vetëm për arsim.

Këto mjete ndihmojnë vetëm minimalisht situatën, pasi komuna raportohet të ketë borxhe të mëdha tek Trafiku Urban, te operatorët privatë të transportit, te ndërmarrjet publike të saj, e madje edhe për furnizime bazë si dru, naftë dhe energji elektrike, kategori për të cilat aktualisht nuk ka mjete të mjaftueshme.

Për Investime kapitale janë alokuar 25,906,301.00 euro. Pra, pjesa më e madhe e bartjes shkon për investime kapitale, duke përfshirë detyrime kontraktuale të papërfunduara dhe projekte të nisura më herët.

Shpërndarja sipas nënprogrameve:

Administrata – 898,155.15 €

Shërbimet publike – 891,767.00 €

Investime kapitale & menaxhimi i kontratave – 17,554,330.85 € (shuma më e madhe)

Infrastruktura publike – 520,000.00 €

Menaxhimi i katastrofave natyrore – 84,966.00 €

Bujqësia – 500,000.00 €

Shëndetësia primare – 219,918.00 €

Shërbimet sociale – 580,000.00 €

Shërbimet kulturore – 2,009,328.00 €

Sporti dhe rekreacioni – 476,992.00 €

Arsimi parashkollor – 189,474.98 €

Arsimi fillor dhe i mesëm i ulët – 1,492,560.18 €

Arsimi i mesëm i lartë – 488,898.84 €

Zbutje e përkohshme e krizës financiare

Edhe pse bartja e 28.6 milionëve lejon vazhdimin e projekteve dhe mbulimin e një pjese të obligimeve, gjendja e vërtetë financiare e Prishtinës mbetet kritike, pasi Komuna nuk ka mjete të mjaftueshme për mallra dhe shërbime, duke rrezikuar pagesat themelore.

Kriza pritet të rikthehet shumë shpejt, pasi mungon edhe buxheti i miratuar për vitin 2026, duke e lënë kryeqytetin pa qartësi financiare afatmesme.

Madje, bazuar në informatat e komunës, as këto mjete ende nuk janë alokuar ne llogaritë bankare të kryeqytetit nga Thesari i shtetit.

Më poshtë mund të shihni mjetet e bartura se ku janë destinuar ato dhe nga janë marr. /Demokracia.com/