Komuna e Prishtinës: Mjetet financiare ende nuk janë bartur nga Ministria e Financave

Komuna e Prishtinës ka njoftuar se vendimi për bartjen e mjeteve buxhetore nga viti 2024 në vitin 2025, i miratuar më 27 nëntor nga Asambleja Komunale, ende nuk është finalizuar nga Ministria e Financave.

Sipas komunikatës zyrtare, deri më datën 2 dhjetor 2025, mjetet financiare nuk janë reflektuar në buxhetin e Komunës, pavarësisht votimit për bartje të buxhetit në seancën e jashtëzakonshme të Asamblesë.

“Në momentin që mjetet alokohen në buxhetin e Komunës së Prishtinës, qytetarët do të informohen menjëherë përmes kanaleve zyrtare të komunikimit”, thuhet në njoftim.

Komuna ka theksuar se sapo të kryhet procedura nga Ministria e Financave, opinioni publik do të njoftohet pa vonesë.

Ndryshe, asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Gëzim Sveçla, ka deklaruar se Ministria e Financave përmes Thesarit ia ka transferuar Komunës së Prishtinës 28 milionë eurot nga të hyra vetanake të komunës për të cilat u mbajt mbledhja e jashtëzakonshme të enjten.