Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), ka vlerësuar se vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për të lejuar votimin jashtë përfaqësive diplomatike ka qenë i kundërligjshëm dhe ka rrezikuar integritetin e votës së mërgatës.
Shala tha se reagimi i IKD-së është bazuar në ligj dhe në interpretimin e qartë të mënyrës se si mund të organizohet votimi jashtë vendit.
“Në reagimin e IKD-së treguam se në rastin konkret kemi të bëjmë me një vendim të kundërligjshëm të KQZ-së që rrezikon integritetin e zgjedhjeve të radhës, gjë që u konstatua edhe nga PZAP. Po ashtu, në vendimin e PZAP-së u konfirmuan të gjitha gjetjet e IKD-së”, theksoi Shala.
Ai sqaroi se e drejta e votës u takon të gjithë qytetarëve, përfshirë mërgatën, mirëpo votimi duhet të bëhet vetëm në përfaqësitë diplomatike të përcaktuara me ligj.
“Ligji për zgjedhjet është miratuar nga kjo qeveri dhe e ka përkufizuar qartë se çka është përfaqësi diplomatike: ambasadë, konsullatë, mision diplomatik dhe mision konsullor që përfaqëson Republikën e Kosovës në një shtet tjetër dhe që në ditën e votimit mund të shfrytëzohet si qendër votimi. Ka rregulla strikte— ambasadë nuk mund të bëhet secili objekt”, theksoi ai.
Sipas Shalës, votimi jashtë ambasadave dhe konsullatave cenon integritetin e procesit zgjedhor dhe hap mundësi për keqpërdorime, përfshirë edhe rrezikun e anulimit të votave në rast të ankesave.
“Hapja e hapësirave shtesë nuk lejohet në asnjë mënyrë, edhe nëse plotësohet numri maksimal i votuesve të përcaktuar nga KQZ për secilën përfaqësi diplomatike. Në raste të tilla, rregullat zgjedhore parashohin që ata përtej numrit të kufizuar të udhëzohen për mënyra tjera të votimit”, shtoi ai.
Shala shprehu habinë e tij për votën pro të kryesuesit të KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, i cili si gjyqtar pritej ta dinte qartë se vendimi ishte në kundërshtim me ligjin.
“Më habiti vota e kryesuesit të KQZ-së, zotii Kreshnik Radoniqi, që votoi pro këtij vendimi përkundër faktit që ligji ishte i qartë. Ai është gjyqtar, i pavarur dhe jo i deleguar nga ndonjë parti politike. Ai supozohet t’i dijë ligjet, dhe vota e tij më shqetëson, sepse nuk ishte vendim pro mërgatës — por rrezikonte votën e mërgatës”, deklaroi Shala.
Ai paralajmëroi se çdo shmangie nga Ligji në procesin zgjedhor komprometon besimin publik dhe krijon bazë për kontestime serioze në zgjedhjet e ardhshme. /BetimipërDrejtësi











