Përballë ndryshimit të situatës së sigurisë në Evropë, Finlanda ka vendosur të forcojë ndjeshëm kapacitetet e saj mbrojtëse, duke rritur kufirin e moshës për rezervistët ushtarakë.
Ata mund të angazhohen në ushtri deri në moshën 65-vjeçare, shkruan gazeta gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”.
Edhe pse me një popullsi prej vetëm 5,5 milionë banorësh, Finlanda ka një nga ushtritë më të mëdha në Evropë, me rreth 280’000 trupa të gatshme për mobilizim të shpejtë dhe një rezervë totale prej 870’000 personash.
Sipas planit të ri të qeverisë, kjo shifër pritet të arrijë në rreth një milion deri në vitin 2031.
Ndryshimi kryesor ligjor parashikon që, duke filluar nga viti i ardhshëm, kufiri i moshës për të qenë pjesë e rezervës do të rritet në 65 vjeç për të gjithë, pavarësisht gradës.
Aktualisht, ushtarët e gradave të ulëta qëndrojnë në rezervë deri në moshën 50-vjeçare, ndërsa oficerët deri në 60 vjeç.
Për oficerët me grada të larta (si kolonel e më lart), detyrimi do të jetë pa kufi moshe, për sa kohë ata janë fizikisht të aftë për shërbim.
Një raport i Komisionit të Mbrojtjes në parlamentin finlandez e ka cilësuar propozimin si “jashtëzakonisht të nevojshëm”.
Synimi është shfrytëzimi i aftësive të rezervistëve më të vjetër e me përvojë, veçanërisht në fushat e sigurisë kibernetike, infrastrukturës dhe sigurisë së furnizimit – kompetenca këto që kërkohen më shumë se kurrë në mjedisin aktual të sigurisë.
Ky vendim reflekton vigjilencën e vazhdueshme të Finlandës ndaj fqinjit të saj lindor, Rusisë.
Përvoja e hidhur historike e Luftës së Dimrit (1939-1940) kundër Bashkimit Sovjetik mbetet e rrënjosur në kujtesën kombëtare finlandeze.
Presidenti aktual, Alexander Stubb, deklaroi së fundmi për “Frankfurter Allgemeine Zeitung” se “ADN-ja e Rusisë është ekspansioni, ndërsa ajo e Finlandës është mbijetesa”.
Ndërkohë, ish-presidenti Sauli Niinistö u ka bërë thirrje liderëve evropianë të mbajnë kontakte direkte me Vladimir Putinin.
Sipas tij, nëse evropianët nuk përfshihen në diskutime, ata rrezikojnë që vendimet për arkitekturën e sigurisë së Evropës dhe Ukrainës të merren pa praninë e tyre në tryezën e bisedimeve.











