Regjistrimi i votuesve në diasporë: Edhe pesë ditë afat, 24 mijë aplikime, 3 mijë e 500 të refuzuara

Për pesë ditë 24 mijë shqiptarë të Kosovës kanë aplikuar për të votuar jashtë vendit, me 6 mijë prej tyre ende duke u procesuar, dhe 3 mijë e 500 të refuzuara. Pjesa më e madhe janë regjistruar për të votuar përmes postës ndërsa deri më tash 3 mijë e 500 janë regjistruar për të votuar fizikisht nëpër ambasada ose konsulata të Republikës së Kosovës në vendet perëndimore.

“Nga data 26 nëntor dhe deri më 30 nëntor, pëmes platformës elektronike të KQZ-së https://diaspora.kqz-ks.org janë pranuar rreth 24,500 aplikime për regjistrim për votim jashtë Kosoës, prej të cilave janë aprovuar mbi 14,600, ndërkaq janë refuzuar rreth 3,500. Në vlerësim e sipër janë rreth 6,400 aplikime.

Nga numri i përgjithshëm i aplikuesve të aprovuar, pjesa më e madhe janë regjistruar për të votuar përmes postës, mbi 10,500 prej tyre për të dërguar pakon me fletëvotim në ndonjërën nga adresat e kutive postare jashtë Kosovës dhe mbi 500 të tjerë për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë. Ndërkaq, mbi 3,500 shtetas janë regjistruar për të votuar fizikisht në ndonjërën nga përfaqësitë diplomatike”, thanë nga Komisioni Qendror Zgjedhor për Nacionale.

Afati i përfundimit të regjistrimit është më 6 dhjetor.

Në zgjedhjet e kaluara parlamentare, ato të 9 shkurtit, ishin registruar 104 mijë votues jashtë vendit, ndërsa pjesëmarrja nga këto 104 mijë ishte 80% e totalit.

“Numri i votave në përfaqësitë diplomatike në të cilat u zhvillua votimi më 8 shkurt 2025, është 15,352 nga 20,324. Ndërkaq, lidhur me pjesën tjetër të votimit nga jashtë Kosovës, votimin përmes postës, në kutitë postare të KQZ-së në shtete të ndryshme janë pranuar 68,712 pako me fletëvotime”, kishte thënë asokohe zëdhënësi i KQZ-së.

Kështu kishin përfunduar rezultatet zgjedhore në votat e diasporës

(LVV / Lëvizja Vetëvendosje) — 31,963 vota (51,57 %)

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK / Lidhja Demokratike e Kosovës) — 18,933 vota (30.55 %)

Partia Demokratike e Kosovës (PDK / Partia Demokratike e Kosovës) — 5,878 vota (9,48 %)

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) + aleatët / koalicioni — ≈ 2000 vota (3.23 %)

PZAP ndaloi absurdin e votimit nëpër restorante

PZAP-ja nuk e ka lejuar votimin nëpër kafene e restorante, por edhe ambiente fetare.

Pas ankesës së LDK-së, Paneli ka konstatuar se kjo është shkelje e ligjit.

Kaq ka mjaftuar që Vetëvendosje ta fillojë sulmin kundër LDK-së.

Hekuran Murati e akuzoi LDK-në se po tenton ta pengojë diasporën për të votuar.

“A din dikush me tregu pse LDK-ja është kaq kundër diasporës? Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka ofru hapësira shtesë për votim (përveç ambasadave e konsullatave), ashtu që diaspora jonë me e pasë sa më afër vendvotimin dhe kësisoj sa më të lehtë procesin e votimit. LDK paraqet ankesë në PZAP për të kundërshtuar këtë lehtësim për diasporën. PZAP e miraton ankesën e LDK-së. Me deklarata LDK-ja e kërkon votën e diasporës, ama me vepra po shihet që po bën çmos që ta pengojë”, ka shkruar Murati.

Edhe Albulena Haxhiu e kritikoi LDK-në.

“Është zhgënjyese të shihet përpjekja e vazhdueshme dhe kaq e hapur për të penguar votimin e mërgatës në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Mërgata është pjesë e pandashme e vendit dhe çdo tentim për t’i kufizuar këto të drejta është sulm ndaj vetë procesit demokratik”, tha Haxhiu.

Kurse, burri i Haxhiut, Alban Krasniqi, eskaloi në gjuhë të rëndë. Ai tha se LDK-ja e urren mërgatën, sikur Vuçiqi shqiptarët.

“LDK &Co me ankesën e saj kundër mërgatës në PZAP vërtetoi që e urren mërgatën njëjtë sikur i urren Vuçiqi shqiptarët. Lumir&Co i keni shpallë luftë mërgatës, dijeni që e keni shpallë ngordhjen tuaj si qenie politike!”, ka shkruar Krasniqi.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, është përgjigjur ashpër duke akuzuar VV-në, se po synon të manipulojë votat e mërgatës.

“Një herë, provuan ta kthejnë sistemin e vjetër të votimit me email. Atë ku një militant, para televizorit, mbushte qindra e qindra fletvotime vet. Merreni me mend: në Kosovë kalojmë në dhjetëra hapa sigurie para se një fletëvotim të pranohet e të numërohet; këta, të pakënaqur nga rezultati i fundit lokal, donin t’i kthenin kohët e vjetra të votimeve e manipulimeve masive. Rastet e tilla jane ende të deponuara në hetuesi e prokurori. KQZ natyrisht nuk e lejoj. Drejtësia dhe ligji qëndruan”, ka shkruar Abdixhiku.

“E vërteta është e thjeshtë. Mërgata kurrë më të lehtë nuk e ka patur votimin. Përveç se zgjedhjet janë në fundvit, kur secili mund të jetë në atdhe; secili bashkëatdhetar që nuk vie këndej, mund të votojë në konsulatë e ambasadë të Republikës; shtetit tonë. Mund dhe të votojnë edhe me postë; secili në emrin e vet, me fletvotim jo të printuar por të pranuar nga shteti i vet”, tha ai.