Tenderi i druve në Prishtinë: Komuna favorizoi ofertën më të shtrenjtë, OSHP zbërthen dyshimet për kurdisje

Në Prishtinë, një tender që duket i zakonshëm për furnizimin me dru për shkollat dhe objektet komunale, u kthye në një histori që ngjall dyshime për keqpërdorim dhe përplasje ligjore, shkruan Demokracia.com.

Paneli i Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) ka konstatuar një sërë shkeljesh ligjore nga Komuna e Prishtinës në aktivitetin e prokurimit “Furnizimi me dru për ngrohjen e objekteve arsimore, AMF-ve, bashkësive lokale dhe nevojave të tjera komunale”, me vlerë të planifikuar 136 mijë euro, duke anuluar vendimin e dhënë dhe duke e kthyer lëndën në rivlerësim, shkruan Demokracia.com.

Vendimi i OSHP-së, i nxjerrë me numër 2025/0946, vjen pas ankesës së operatorit ekonomik AOME SH.P.K., i cili pretendoi se Komuna ka manipuluar procesin e vlerësimit të tenderëve, ka favorizuar ofertën më të shtrenjtë, ka lejuar dorëzimin e katër ofertave nga i njëjti pronar dhe ka injoruar plotësisht rregullat mbi çmimet jo-normalisht të ulëta dhe validitetin e ofertave.

OSHP: Ankesa e bazuar – tenderi kthehet në fillim

Paneli i OSHP-së, pas shqyrtimit të dosjes së tenderit dhe raportit të ekspertit shqyrtues, ka konkluduar se pretendimet e operatorit ankues janë të bazuara dhe se Komuna ka bërë shkelje të rënda procedurale dhe ligjore.

Në vendimin final, OSHP ka urdhëruar: Anulimin e njoftimit për dhënie të kontratës Kompanisë “Berveniku Corporation”; Rivlerësimin e plotë të aktivitetit të prokurimit.

Komuna kishte shpallur fitues një kompani të quajtur Berveniku Corporation, me një ofertë me të lartë. Por këtu fillon problemi, një tjetër kompani, “AOME” Sh.P.K., kishte dorëzuar ofertën më të lirë.

Kur “AOME” vendosi të ankohen në OSHP, doli se Komuna nuk kishte dhënë asnjë arsye bindëse pse kishte refuzuar ofertën më të lirë dhe kishte shpallur fitues një kompani që e dyfishonte çmimin. Përveç çmimit, u zbulua se katër kompani të lidhura me të njëjtin pronar, Avni dhe Bedri Murtezi, ishin përfshirë në këtë tender. Tri prej tyre nuk kishin dhënë përgjigje kur u kërkuan sqarime, ndërsa Berveniku Corporation, ajo që fitoi, mori gjithë vlerësimin. OSHP i konsideroi këto veprime si shkelje të rëndë dhe dyshime për kurdisje.

Tenderi i druve që nxori çmimet dyfish dhe dyshimet për kurdisje

Komuna shpalli fitues Berveniku Corporation me një çmim prej 80 euro për metër katror, ndërsa oferta më e lirë, ajo e kompanisë AOME Sh.P.K., ishte vetëm 59,333 euro, shumë më e lirë se fituesi.

Kur AOME Sh.P.K. ankoi vendimin në OSHP, eksperti shqyrtues nxori një raport që nuk la vend për dyshime: pretendimet e ankuesit ishin plotësisht të bazuara. Në raport theksohej se Komuna nuk kishte respektuar qëllimin e ligjit për prokurim publik, transparencën, drejtësinë dhe ekonomicitetin e përdorimit të fondeve publike. Për më tepër, shpërblimi i Berveniku Corporation me një çmim më të lartë se tregu ishte një shkelje e dukshme e parimeve të ekonomikitetit dhe efikasitetit.

Eksperti vuri në dukje se procedura ishte e thjeshtë furnizim me dru, jo projekt kompleks dhe çdo dyshim lidhur me realizimin e kontratës mund të rregullohej ligjërisht përmes kërkesave për sigurimin e ekzekutimit. Por, Komuna nuk shqyrtoi sqarimet e AOME Sh.P.K. dhe refuzoi ofertën pa arsyetim të plotë, duke dëmtuar buxhetin publik dhe duke shkelur standardet e ligjit.

Më tej, u zbuluan edhe lidhje të dyshimta midis kompanive: katër kompani – NTSH Nazi Travel, NTSH Bedi Com, Avni Murtezi BI dhe Berveniku Corporation  ishin në pronësi të të njëjtëve njerëz, Avni dhe Bedri Murtezi, por vetëm Berveniku Corporation dha përgjigje në kërkesat për sqarime. Çmimet e tre kompanive të tjera ishin të përafërta me ofertën e AOME Sh.P.K., ndërsa çmimi i Berveniku Corporation ishte dukshëm më i lartë:

  • NTSH Nazi Travel: 62,900 euro
  • NTSH Bedi Com: 67,830 euro
  • Avni Murtezi BI: 76,160 euro
  • Berveniku Corporation: 80 euro/metër katror

Eksperti e konsideroi këtë situatë si shqetësuese për integritetin e tenderit, duke sugjeruar që Autoriteti Kontraktues të rishqyrtonte procedurën që nga fillimi dhe të merrte masat ligjore për të siguruar drejtësinë e procesit dhe mbrojtjen e buxhetit publik.

Komuna e ka kthyer në rivlerësim procedurën. /Demokracia.com/