PZAP-ja nuk e ka lejuar votimin nëpër kafene e restorante, por edhe ambiente fetare.
Pas ankesës së LDK-së, Paneli ka konstatuar se kjo është shkelje e ligjit.
Kaq ka mjaftuar që Vetëvendosje ta fillojë sulmin kundër LDK-së.
Hekuran Murati e akuzoi LDK-në se po tenton ta pengojë diasporën për të votuar.
“A din dikush me tregu pse LDK-ja është kaq kundër diasporës? Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka ofru hapësira shtesë për votim (përveç ambasadave e konsullatave), ashtu që diaspora jonë me e pasë sa më afër vendvotimin dhe kësisoj sa më të lehtë procesin e votimit. LDK paraqet ankesë në PZAP për të kundërshtuar këtë lehtësim për diasporën. PZAP e miraton ankesën e LDK-së. Me deklarata LDK-ja e kërkon votën e diasporës, ama me vepra po shihet që po bën çmos që ta pengojë”, ka shkruar Murati.
Edhe Albulena Haxhiu e kritikoi LDK-në.
“Është zhgënjyese të shihet përpjekja e vazhdueshme dhe kaq e hapur për të penguar votimin e mërgatës në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Mërgata është pjesë e pandashme e vendit dhe çdo tentim për t’i kufizuar këto të drejta është sulm ndaj vetë procesit demokratik”, tha Haxhiu.
Kurse, burri i Haxhiut, Alban Krasniqi, eskaloi në gjuhë të rëndë. Ai tha se LDK-ja e urren mërgatën, sikur Vuçiqi shqiptarët.
“LDK &Co me ankesën e saj kundër mërgatës në PZAP vërtetoi që e urren mërgatën njëjtë sikur i urren Vuçiqi shqiptarët. Lumir&Co i keni shpallë luftë mërgatës, dijeni që e keni shpallë ngordhjen tuaj si qenie politike!”, ka shkruar Krasniqi.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, është përgjigjur ashpër duke akuzuar VV-në, se po synon të manipulojë votat e mërgatës.
“Një herë, provuan ta kthejnë sistemin e vjetër të votimit me email. Atë ku një militant, para televizorit, mbushte qindra e qindra fletvotime vet. Merreni me mend: në Kosovë kalojmë në dhjetëra hapa sigurie para se një fletëvotim të pranohet e të numërohet; këta, të pakënaqur nga rezultati i fundit lokal, donin t’i kthenin kohët e vjetra të votimeve e manipulimeve masive. Rastet e tilla jane ende të deponuara në hetuesi e prokurori. KQZ natyrisht nuk e lejoj. Drejtësia dhe ligji qëndruan”, ka shkruar Abdixhiku.
“E vërteta është e thjeshtë. Mërgata kurrë më të lehtë nuk e ka patur votimin. Përveç se zgjedhjet janë në fundvit, kur secili mund të jetë në atdhe; secili bashkëatdhetar që nuk vie këndej, mund të votojë në konsulatë e ambasadë të Republikës; shtetit tonë. Mund dhe të votojnë edhe me postë; secili në emrin e vet, me fletvotim jo të printuar por të pranuar nga shteti i vet”, tha ai.
Zyrtarja e LDK-së, Sibel Halimi, theksoi se VV-ja po synon ta humb kuptimin dhe integritetin e procesit zgjedhor.
“Lidhja Demokratike e Kosovës, si gardiani i fundit i demokracisë liberale në vend, e ndali edhe një abuzim tjetër: votimin në Hyde Park! Vetëvendosje deshi që vota e lirë ta humbte kuptimin dhe procesi integritetin. Aq u bën! Ankesa e LDK-së në PZAP sërish alarmoi, duke ndaluar suspendimin dhe degradimin e ligjshmërisë dhe besueshmërisë në zgjedhjet e lira. Prandaj Donika Gërvallës nuk i pëlqen asnjë shqiptar i Kosovës që i thotë jo suspendimit të ligjit dhe Kushtetutës. Mendësi antishtet! Veprat e kryetarit të LDK-së po e ruajnë demokracinë, të cilës Donika me të vetët i janë vërsulur!? Vallë, çka synojnë këta njerëz?”, tha Halimi.
Nacionale raportoi për këtë shkelje të KQZ-së.
Gazeta Nacionale ka shikuar përmes “Google” adresat e qendrave shtesë të votimit që janë dorëzuar nga MPJD që udhëhiqet nga Donika Gërvalla.
Me anë të fotografive kuptohet me shumë se çfarë aktivitetesh organizohen në këtë ambiente të cilat janë përzgjedhur nga ministria e Gërvallës.
Më poshtë gazeta sjell fotografitë e restoranteve dhe qendrat fetare ku do të organizohet zgjedhjet e 28 dhjetorit në Gjermani, Zvicër dhe ShBA.
Vendi: Cyrih
Adresa: Bahnhofstrasse 163, 8620 Wetzikon
Emri: Restaurant Krone Kronensaal
Vendvotime: 4
Votues: 3,800
Vendi: Bernë
Adresa: Effingerstrasse 20, 3008 Bern
Emri: Qendra e kongreseve ALLRESTO
Vendvotime: 5
Votues: 4,750
Vendi: Gjenevë
Adresa: Rue Francois-Durafour 17, 1220 Les Avanchets
Emri: Salle des fêtes Avanchet-Salève
Vendvotime: 4
Votues: 3,800
Vendi: Dyseldorf
Adresa: Karl-Hohmann-Straße 70, Düsseldorf
Emri: Eventcenter Benrath
Vendvotime: 5
Votues: 4,750
Vendi: Franfurt
Adresa: An der Jupitersaule 10, 61350 Bad Homburg
Emri: Saalburg Landgasthof
Vendvotime: 3
Votues: 2,850
Vendi: Nju Jork
Adresa: 90 Riverdale Rd, Riverdale, NJ 07457
Emri: Albanian American Cultural Center “Struga”
Vendvotime: 3
Votues: 2,850











