Shqipëria për SHBA’në aleat- ‘republika e tretë’ e Kurtit pezull

Mes urimeve të shumta në nder të 113 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës uruan shtetin që qartë e vlerësojnë aleat ashtu si dhe popullin shqiptar mik. Kosovarët gjithashtu në vazhdimësi i quajnë e vlerësojnë popull mik, por pushtetin në Kosovë e bëjnë dallimin, Dialogun Strategjik me ta e ndërprenë pa e nisur ende madje, përcjell Gazeta Metro.

“Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria gëzojnë një partneritet të fortë, të ndërtuar mbi një angazhim të përbashkët për një të ardhme më të sigurt dhe më të begatë. Aleanca jonë në NATO është themeli i mbrojtjes sonë reciproke dhe ne mirëpresim rritjen e investimeve të Shqipërisë në sigurinë tonë kolektive. Për më tepër, partneriteti ynë me zbatimin e ligjit shqiptar i bën qytetarët tanë më të sigurt ndërsa përballemi me kërcënimet e grupeve kriminale transnacionale, kartelet e trafikut të drogës dhe ata që bashkëpunojnë me to. Ne gjithashtu vlerësojmë bashkëpunimin tonë të ngushtë në adresimin e kërcënimeve kibernetike dhe përgëzojmë Shqipërinë për hapat e saj të rëndësishëm në sigurinë kibernetike”, shkruhej në urimin e Rubios.

Ndërkaq, edhe vetë Presidenti Amerikan Donald Trump më pas i dërgoi një letër homologut shqiptar, Bajram Begaj, ku ky i fundit ndau përshëndetjen e liderit të SHBA për shqiptarët në këtë ditë të rëndësishme.

“Është nder për mua të përcjell përshëndetjet e Presidentit Trump për shqiptarët me rastin e Ditës së Pavarësisë. Faleminderit, SHBA, dhe faleminderit Presidentit Donald J. Trump për mesazhet e ngrohta dhe pozitive në këtë ditë të rëndësishme. Shqipëria mbetet e përkushtuar të punojë me Shtetet e Bashkuara për prioritetet tona të përbashkëta. Shqipëria ka qenë gjithmonë, dhe do të jetë gjithmonë, krah Shteteve të Bashkuara. Zoti i bekoftë kombet dhe popujt tanë!”, ka shkruar Begaj.

Në Kosovë për Ditën e Falenderimeve të enjten lideri i VV’së ftoi për darkë të ngarkuarën me punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Anu Pratipatti. S’mbeti zyrtar i VV’së pa u krenuar se sa mirë po e çojnë me amerikanët. Këshilltari i tij e publikoi në rrjete sociale një letër kurtoazie falenderimi për drekën duke u krenuar me të. Një gjest patetik propagandistik e mjaft pa shije në diplomaci. Akt dëshpërimi dhe oportunizmi diplomatik në kohë fushate elektorale.

Zyrtarët e BE’së dhe SHBA’së nuk i takojnë as në zyrë për shkak të mungesës së legjitimitetit pasi që u konfirmua nga Gjykata Supreme. I zemëruar e me inat adoleshence Kurti kishte refuzuar të takonte kryediplomaten e një shteti më të vogël europiane, por jo me më pak peshë e sinjal i një papjekurie.

Kur vjen puna të takojë zyrtarë të shteteve më me peshë Kurti nuk përton të shkojë në restorante e zyra të përfaqësive diplomatike për t’i takuar. Nuk përtojnë diplomatët e huaj t’i tregojnë statusin me simbolika të tilla.

Njeriu i cili më 2007’në thoshte ‘Kosova s’do të jetë e pavarur dhe s’do të ketë sovranitet’ arriti që të sjellë Kosovën mu në ato dimension, me në një status të paqartë – një republikë e tretë si shembëlltyrë e tij si politikan. Shtet i izoluar e pezull në botëkuptimin e tij.

Ishte ish-ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier që kishte shprehur pakënaqësitë e ish administratës amerikane të presidentit Joe Biden më retorikën diplomatike që thoshte se do të ketë pasoja për marrëdhënien mes dy shteteve. E kishte shtuar me keqardhje duke zbritur nga podiumi në konferencën e përbashkët për shtyp me presidenten Vjosa Osmani se s’donte ta bënte këtë por e detyruan.

Këshilltari Special i Presidentit Amerikan, Richard Grenell, s’kishte atë kujdes diplomatik dhe e tha troç se SHBA nuk e konsiderojnë Kurtin partner edhe aq të besueshëm. Nuk ka sinjale që ka pajtim për përmirësimin e mendimit të tyre për të. Sekretari Amerikan i Shtetit Marco Rubio derisa i premtonte Serbisë se do të ketë nisje të bisedimeve në Dialogun Strategjik i ndërpreu këtë privilegj Kosovës ende pa nisur.

Kumarxhi e quajti presidentja Osmani kryeministrin Kurti mjedis parlamenti në njërin prej periudhave kur ishte e zemëruar me partnerin për ndonjë prej çështjeve.

Dikur i kishte pëlcitur edhe Jeff Hovenier të kujdesshëm që deklaroi direkt që qeveria e Kosovës bën mirë mos të pshurr pragun e klubit ku do të hyjë. Kot llafet për mirënjohje e miqësi të përhershme siç pretendonte të enjten Kurti para Pratipatti. Kur pshurri pragun e klubit perëndimor, Kurti lagu edhe republikën e tij të tretë./gazetametro.net