Bedri Hamza me vizitë të papritur në SHBA, pritet në takim të përbashkët me Shtëpinë e Bardhë dhe Departamentin e Shtetit

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidati për Kryeministër, Bedri Hamza, po qëndron në një vizitë zyrtare në Washington DC, ku ka zhvilluar takime të nivelit të lartë me zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë dhe Departamentit të Shtetit. Mësohet se takimet janë mbajtur në formatin trepalësh ndërmjet Hamzës, Këshillit Kombëtar të Sigurisë dhe zyrtarëve të lartë të Departamentit të Shtetit.

Në një postim në Facebook, Hamza konfirmoi se qëllimi i vizitës është forcimi i aleancës strategjike me SHBA-të.

“Në funksion të ruajtjes dhe thellimit të bashkëpunimit me Shtëpinë e Bardhë dhe qeverinë amerikane, sot në Washington zhvillova një takim me Charles McLaughlin, Ndihmës Special i Presidentit Donald Trump dhe Drejtor i Lartë për Evropën dhe Rusinë në Shtëpinë e Bardhë, si dhe me Mark Fleming, Drejtor i Zyrës për Çështjet e Evropës Perëndimore dhe Qendrore në Departamentin e Shtetit”, tha ai.

Hamza tha se diskutimet janë fokusuar në zhvillimet politike dhe ekonomike në Kosovë dhe në nevojën që institucionet e ardhshme të vendit të orientohen drejt rikthimit të marrëdhënieve strategjike me Shtetet e Bashkuara.

“Diskutuam për zhvillimet politike dhe ekonomike, si dhe për nevojën që institucionet e Kosovës të fokusohen në forcimin e marrëdhënieve strategjike me SHBA-në dhe në një agjendë të qartë zhvillimi”, tha Hamza.

Kandidati për Kryeministër theksoi se për PDK-në dhe për të personalisht, prioritet është interesi shtetëror dhe rikthimi i besimit me aleatët.

“I sigurova zyrtarët amerikanë se për mua dhe PDK-në, interesi shtetëror është mbi çdo gjë: përqendrim në rritje ekonomike, investime strategjike dhe riparim të plotë të marrëdhënieve me partnerët tanë ndërkombëtarë,” deklaroi Hamza.

Ai nënvizoi se mbështetja amerikane është thelbësore për rrugëtimin euro-atlantik të Kosovës.

“Kosova është e bekuar me mbështetjen e popullit dhe qeverisë amerikane. Kjo mbështetje mbetet jetike në rrugëtimin tonë drejt anëtarësimit në NATO dhe BE”, përfundoi ai.

Kush janë zyrtarët amerikanë që pritën Hamzën?

Charles McLaughlin – Asistent i Posaçëm i Presidentit Donald Trump dhe Drejtor i Lartë për Evropën dhe Rusinë në Këshillin e Sigurisë Kombëtare – konsiderohet një nga ekspertët kryesorë republikanë të politikës së jashtme. Ai ka përvojë të gjerë në qeveri, në sektorin privat, në akademi dhe në forcat e armatosura. Karrierën e nisi si oficer në Kavaleri të Blinduar dhe më pas në Forcat Speciale të Ushtrisë Amerikane, duke dalë në pension si kolonel.

Mark Fleming – Drejtor i Zyrës për Evropën Perëndimore dhe Qendrore në Departamentin e Shtetit – është zyrtari më i lartë përgjegjës për çështjet e Ballkanit Perëndimor në administratën amerikane. Me një karrierë të gjatë diplomatike, ai ka luajtur rol kyç në koordinimin e politikave të SHBA-së në rajon, me theks në sundimin e ligjit, stabilitetin dhe bashkëpunimin strategjik.

Vizita e Hamzës në SHBA vlerësohet si një zhvillim me rëndësi të madhe për diplomacinë kosovare, sidomos në prag të proceseve të reja politike dhe zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

https://www.facebook.com/share/p/1NsRq8q52w/?mibextid=wwXIfr