“Ma tregoi armën…tutna se VV e ka krejt në dorë ”, flet burri që e raportoi ministrin e Kurtit për kërcënim

Ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, është objekt hetimi i Prokurorisë Themelore në Pejë për një rast të kanosjes ndaj dy personave, incident ky  që dyshohet të ketë ndodhur më 23 nëntor në qytetin e Pejës.

Inicimin e hetimit e ka konfirmuar Prokuroria, ndërsa Klan Kosova ka zbuluar se dy viktimat e rastit janë Riza Murati me të birin, Luftrimin.

Në një prononcim për Klan Kosovën, Riza Murati, ka dhënë versionin e tij për rastin dhe ka treguar detaje se çka ndodhi atë ditë.

Murati tha se atë ditë djali i tij kishte pësuar aksident trafiku dhe vetura e të njëjtit ishte e ndalur, derisa policia të arrinte në vendin e ngjarjes.

Por, sipas tij, ministri Krasniqi ka pretenduar se po i pengon në rrugë dhe ka kërkuar largimin e saj, gjë të cilën Murati e ka refuzuar, për shkak se po priste policinë.

“Të dielën në orën 12:00 ka ardhë djali të më marr në punë, atë ditë dhe ka ndodhur një aksident, i ka ra njëri me kerr djalit dhe i kemi thirrë policinë, ndërkohë ka ardhur ky personi ka dalë nga kerri, unë se kam njohur se ka qenë Ministër, na ka thënë ta largoni kerrin prej aty. Unë i thash “nuk bën të largohet vetura prej aty, pa ardh policia nuk bën të hiqet kerri prej vendit të ngjarjes”, tha ai.

Momenti kulminant i kësaj ngjarje, sipas Muratit ka qenë ai kur ministri i Kurtit, pozitë për të cilën ky as nuk e dinte se e kishte, ia kishte treguar armën që mbante në brez.

Ky veprim i Krasniqit e ka frikësuar Muratin, por edhe të birin e tij, njofton Klankosova.tv.

“Si u afruam ai u qart krejt, i çoi duart, mos mu afroni, i thash asgjë nuk po të bëjmë po kerri nuk bën të largohet. Një femër që kish qenë me të në kerr, shofere, doli e qiti kokën në dritare tha “a e dini kush është ky”.

“Ndërkohë, ky personi njërën dorë e ka çu lart, me tjetrën e ka çu jaknen me ma tregu armën. Mua ma merr mendja që ka mendu që ne duam ta rrahim ose ta kanosim, vetëmbrojtje, apo me na tut neve a. Kur e nxori armën unë u befasova, u tuta prej tij, u tut djali”, ta Murati.

Ai tha se targat e veturës i kishin fotografuar dhe i kishin dërguar në polici, por derisa kanë reaguar gazetarët, policia nuk i kishin treguar se personi në fjalë është ministër në detyrë.

Murati u shpreh se ka dhënë deklaratë në polici dy herë, derisa tha se tani që e di se është ministër, po ndihet i rrezikuar.

“Kur ministri sillet si të jetë rrugaç, qysh mos me u ndi”, u shpreh ai, duke thënë se më e udhës kishte qenë që Krasniqi të ndalej e të pyeste për ndihmë.

“Unë frikësohem se kta VV-ja e kanë në dorë krejt, këta bëjnë çka të duan vet”, tha ai, duke menduar se rasti i tij nuk do të trajtohet si duhet në polici.

“Çka kam unë, asgjë s’kam hiç. Unë jam thjesht një bujk”, përfundoi Murati.

“Vendosi dorën në armë” | Shoqërimi i tepërt me “komandant” Sveçlën e trimëron Elbert Krasniqin, i kanos qytetarët në komunikacion