“Nuk po vjedhi, e kam ble në magazinë”/ Ballafaqimi me “hajnin” e kontentit

Në një dyqan plot e përplot pajisje elektronike, në mënyrë ilegale e pa kupon fiskalë po shiten resiverë që premtohet se kanë 450 kanale.

Në mesin e këtyre kanaleve, reklama e paisjes fokusohet tek fakti që përmban dy kanalet e Big Brother Kosova.

Ekipi i KIKS Kosovës i kamufluar si qytetar bleu paisjen për 35 euro, e nuk iu dha as kupon fiskal.

Kështu gazetarja merr edhe një herë rrugën për në dyqan, për të ballafaquar pronarin me veprimtarinë e tij ilegale.

Me të njoftuar pse jemi aty dhe cilat rregulla po shkelë, pronari i dyqanit Digital Computers në Gjakovë fillon të shfajësohet duke thënë se nuk e kishte ditur se shitja e këtij resiveri bashkë me kanalet qëndron konfront me ligjin.

Për veprimtarinë e tij ilegale, ai ia “gjuan topin” magazinës ku thotë se i merr këto paisje.

Duke potencuar vazhdimisht që nuk ishte në dijeni që po bën vjedhje të kontentit, gjakovari kërkon sugjerime se cka të veprojë.

Pasi ekipit të KIKS Kosovës i premtoi se do fshinte kanalet dhe nuk do i shiste më, ky biznes kishte fshirë nga platformat e tij online edhe videot ku reklamonte këtë smartbox.

I pyetur nga gazetarja se pse nuk lëshon kupon fiskalë, ai përgjigjet se është thjesht një gabim i punëtores.

Ekipi i KIKS Kosovës priti rreth 10 minuta që ai të përgadiste kuponin fiskal, mirëpo krejt cka mori në fund qe një fletë e bardhë e cila tregonte se i kishte skaduar abonimi për të kryer një shërbim të tillë.