Pasi Kurti lëshoi para për RTK’në, drejtori Gërvalla sulmon mediat tjera, i quan të oligarkëve dhe hibride

Drejtori i RTK-së, Rilind Gërvalla, ka reaguar pasi Qeveria në detyrë ndau sot mjete për RTK’në, meqë punëtorët kishin mbetur pa paga këtë muaj.

Ai ka shprehur mirënjohje për “qetësinë, maturinë dhe profesionalizmin” e punëtorëve që protestuan.

“Sot dua të shpreh mirënjohjen time më të thellë për qetësinë, maturinë dhe profesionalizmin që keni treguar gjatë ditëve të fundit. Në një kohë kur sulmet politike dhe presionet e pavend janë bërë pjesë e përditshmërisë sonë, ju u përgjigjët jo me zhurmë, por me punë; jo me polemika, por me integritet.”

Gërvalla ka thënë se “gjuetart politikë” kanë bërë thirrje që publiku t’i lihet “mediave të oligarkëve dhe mediave hibride”.

“Ndërkohë që “gjuetarët” politikë bënin thirrje për t’u bashkuar në partitë e tyre, kritikonin procesin vullnetar për zgjidhje dhe luteshin për dështimin tonë duke u bërë pengesë, ata kërkonin t’ua lënë publikun mediave të oligarkëve dhe mediave hibride. Por ju zgjodhët një rrugë krejt tjetër: rrugën e besimit kolegial, të urtësisë dhe të përgjegjësisë profesionale. Kjo tregon jo vetëm karakter, por edhe standard. Tregon se RTK nuk mbahet në këmbë nga zhurma e jashtme, por nga puna e brendshme, nga secili prej nesh.”

Ai ka thënë se punëtorët e RTK’së nuk kanë lejuar që “agjenda të huaja të ndikojnë në punën e tyre”.

“Ju falënderoj sinqerisht që nuk u tundët nga provokimet, nga neglizhenca apo nga ata që duan mbylljen e RTK-së në emër të kinse mbrojtjes së saj, duke u fshehur pas titujve si avokues të mediave apo maskave të “mbrojtjes së gazetarëve”. Ju nuk lejuat që agjenda të huaja të ndikojnë në punën tonë dhe çdo sfidë e kthyet në motivim për të punuar edhe më mirë. Kjo është arsyeja pse RTK vazhdon të mbetet një institucion i besuar publik: sepse ju e mbani në këmbë me profesionalizëm, me përkushtim dhe me etikë.”

Ai ka shtuar se “do të vazhdojmë të jemi zëri i publikut, jo i grupeve të interesit”.