Qeveria në detyrë ka vendosur t’i ndajë rreth 4.5 milionë euro për RTK-në, nga buxheti i kursimeve.
Realisht, kjo zgjidhje kishte qenë në tavolinën e qeverisë tash e një muaj, përgjatë kësaj kohe ku punëtorët e RTK-së ishin pa paga.
Megjithatë, duket se beteja politike ishte më e madhe se telashet e punëtorëve që mbetën pa paga.
Lajmin e mirë për RTK-në e dha fillimisht kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
“Që në muajin gusht ne bëmë një zgjidhje të përkohshme duke dhënë overdraft për RTK-në, me shpresën që pas konstituimit të Kuvendit e themelimit të komisioneve, të arrihet zgjidhja e duhur për të cilën kishim përgjegjësi të gjitha partitë. Ne nuk kishim votat e mjaftueshme pasi partitë e tjera refuzuan pagat për RTK-në, siç ka paralajmëruar Murati, kemi shqyrtuar disa opsione për të dalur nga kjo situatë. Në këtë mbledhje mjetet e nevojshme po ndahen nga kategoria e kursimeve. Kjo zgjidhje e sotshme, më mirë të themi kjo mënyrë e tanishme është veçse improvizim i detyrueshëm pas përpjekjeve tona të vazhdueshme për ta miratuar aty buxhetin”, tha Kurti.
E Hekuran Murati, deklaroi se kjo zgjidhje është emergjente.
“Në tabela propozohet të ketë harmonizim brenda MPJD-së në vlerën 875 mijë euro që nevojiten në kuadër të shërbimeve diplomatike edhe për zgjedhje më 28 dhjetor. Ndërkaq, në anën tjetër është edhe ndarja prej 4 milionë e 480 mijë euro për RTK-në, të cilat është dashur të kursehen, apo të merren si kursime nga projekte ekzistuese, për shkak se në Kuvend nga partitë opozitare, u refuzua të kryhej detyra e tyre. Na është dashur të bëhet një zgjidhje emergjente për transmetuesin publik”, tha Murati.
Sindikata e RTK-së paralajmëron: Greva vazhdon nëse kriza kthehet në 2026
Sindikata e RTK-së ka dërguar njoftim për media, ku ka theksuar se greva do të ndalet. Ata kanë falënderuar të gjithë për mbështetjen.
“Sindikatës i takon të theksojë se punëtorët e RTK-së gjatë gjithë kësaj periudhe nuk kanë pasur komunikim adekuat nga ata që paguhen për sigurimin e stabilitetit të institucionit dhe pagesën e pagave, gjë që ka qenë për keqardhje dhe ka rënduar situatën, duke krijuar pasiguri dhe shqetësim të panevojshëm. Pas këtyre zhvillimeve dhe veprimeve të ndërmarë nga palët përkatëse, SPERTK njofton opinionin publik, institucionet dhe punëtorët e RTK-së se greva ndërpritet si rezultat i hapave që çuan në zhbllokimin e situatës me buxhetin e RTK-së dhe krijimin e mundësisë për adresimin e çështjeve të mbetura, që ndikojnë drejtpërdrejt në funksionimin e transmetuesit publik. Ky hap siguron funksionimin normal të RTK-së dhe garantimin e të drejtës së qytetarëve për informim të paanshëm dhe të saktë. Sindikatës i takon gjithashtu të mirëpresë dhe falënderojë Qeverinë dhe Kryeministrin në detyrë për reflektimin ndaj kërkesave të Sindikatës dhe për ndërmarrjen e hapave që çuan në zhbllokimin e situatës me buxhetin. Ky veprim ka qenë i domosdoshëm për stabilitetin e institucionit dhe për ruajtjen e misionit të RTK-së si transmetues publik”, u tha në reagim.










