Sindikata e Punëtorëve të RTK-së ka njoftuar se greva e cila është mbajtur për disa ditë me radhë do të ndërpritet si rezultat i hapave që çuan në zhbllokim të situatës me buxhetin e transmetuesit publik dhe krijimin e mundësisë për adresimin e çështjeve të mbetura.
Përmes një komunikate për media, kjo sindikatë thotë se veprimi i Qeverisë e cila bëri të ditur sot se do të ndajë mjete nga kategoria e kursimeve, ka qenë i domosdoshëm për stabilitetin e institucionit dhe për ruajtjen e misionit të RTK-së si transmetues publik.
“RTK vazhdon të funksionojë pa Bord, pa Drejtor të Përgjithshëm dhe me pozita kyçe të paplotësuara, përfshirë Kryeredaktorin. Kjo gjendje kërkon veprim urgjent nga legjislatura e re e Kuvendit të Kosovës, për kompletimin e Bordit, zgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm, emërimin e Kryeredaktorit, si dhe për rritjen e buxhetit, rritjen e domosdoshme dhe të panegociueshme të pagave, miratimin e ligjit të ri dhe zgjidhjen e çështjes së pronës dhe objektit të ri të RTK-së”, thuhet më tej në komunikatë.
“Sindikatës i takon gjithashtu të mirëpresë dhe falënderojë Qeverinë dhe Kryeministrin në detyrë për reflektimin ndaj kërkesave të Sindikatës dhe për ndërmarrjen e hapave që çuan në zhbllokimin e situatës me buxhetin. Ky veprim ka qenë i domosdoshëm për stabilitetin e institucionit dhe për ruajtjen e misionit të RTK-së si transmetues publik”.
Megjithatë, Sindikata e Punëtorëve të RTK-së ka paralajmëruar se nëse gjatë janarit të vitit të ardhshëm hasin sërish në situata të tilla, greva mund të rikthehet menjëherë dhe në çdo formë të nevojshme.
“Në emër të punëtorëve të RTK-së dhe të transmetuesit publik, shprehim mirënjohjen tonë të sinqertë për mbështetjen e vazhdueshme dhe përkushtimin e secilit që qëndroi pranë nesh gjatë kësaj periudhe sfiduese”, përfundon njoftimi.










