Vdekja tragjike e studentes 25-vjeçare nga Gjakova, Daorsa Spahiu, në Tetovë të Maqedonisë së Veriut, ka shkaktuar një valë tronditjeje në opinionin publik.
Ndërsa rrethanat e ngjarjes janë ende në fazën e zbardhjes, publikimi i mesazheve kërcënuese ka shtuar kërkesat për një hetim të thelluar mbi rrethanat që çuan në këtë fund fatal.
Në emisionin “Kosova Live” në televizionin T7, u transmetuan biseda tekstuale që, sipas gazetarit në emision, janë mesazhet kërcënuese që Daorsa kishte marrë nga i dashuri.
Këto biseda përmbajnë gjuhë kërcënuese dhe tregonin për një presion të rëndë psikologjik.
Një nga fjalitë më shokuese të publikuara ishte: “Kom me ta djegj çdo qelizë n’trup çka e ki”, duke lënë të kuptohet për qëllime hakmarrëse dhe dëmtuese.
Mesazhe të tjera, si: “Po deri sa t’hakmerrna n’ty” dhe deklarata se nuk po flinte apo hante derisa të vinte hakmarrja, sugjerojnë një gjendje të rëndë konflikti dhe kërcënimesh të drejtuara ndaj Daorsës.

Mediat lokale kanë raportuar se Daorsa Spahiu dyshohet se kishte qenë nën presion të vazhdueshëm psikik dhe fizik nga personi me të cilin ishte në lidhje. Dëshmitë nga komshinjtë në Tetovë flasin për zhurma dhe britma të dëgjuara shpesh nga banesa ku jetonte studentja, si dhe tregime për vajzën e re të parë në gjendje të rënduar emocionale.










