Pako për buxhetin që do të t’i jepte kreditin asaj? Si u bë Osmani pjesë e bisedave të fshehta mes partive

Pavarësisht interesimit të madh nga ana e mediave, jo gjithherë dihet për diskutimet që politikanë e parti politike zhvillojnë mes vete. Për këtë lloj “negociatash” kishte folur edhe vetë Vjosa Osmani teksa gazetarët i bënin pyetje rreth përpjekjeve të Kurtit për ta formuar qeverinë muaj më parë. Gjatë javës u bë e ditur se edhe vetë ajo ishte e përfshirë në një përpjekje për kalimin e buxhetit, para shpërndarjes së Kuvendit. Kreu i LDK’së Lumir Abdixhiku rrëfeu se iniciativa dhe propozimi kishte qenë i tij por plani ishte që t’i atribuohej shefes së shtetit. Presidentja në konferencën për media s’i kishte përmendur këto diskutime ditën kur shpalli datën e zgjedhjeve.

Edhe pse gjasat gjithherë ishte potencuar se ishin të vogla, e pyetur për diskutimet për formimin e qeverisë, Osmani ishte rikthyer  ‘’te përvoja’’ e saj për të treguar se shumë diskutime mes partish bëhen në mënyrë të fshehur, ose siç ka thënë ajo ‘’prapa dyerve të mbyllura’’.

“Unë nuk do të ngutesha që të japë supozime që do të dështohet në krijimin e qeverisë. Ka ende edhe pak kohë. Ta shohim. Sa i përket përpjekjeve të partive politike, po rikthehem pak te përvoja ime kur kam qenë edhe unë në parti. Shumica e këtyre diskutimeve mes partive politike ndodhin prapa dyerve të mbyllura. Shpeshherë ju e merrni vesh shumë vonë. Madje nganjëherë edhe ne që ishim në parti e merrnim vesh shumë vonë. Ju kujtohen disa prej koalicioneve të tilla”, tha ajo.

Presidentja kishte vazhduar me komentet e saj, duke thënë se ajo nuk hyn në ‘’diskutimet mes partive politike’’, porse, ajo vetëm ‘’u uron suksese të plota në krijimin e qeverisë’’.

“Pra, unë nuk do të sugjeroja që nuk ka përpjekje. Vetëm sepse ne nuk i dimë, nuk do të thotë që ato nuk janë duke ndodhur. Nuk jam e sigurt në qoftë se ka përpjekje, nëse ato janë të mjaftueshme, sepse si Presidente nuk ndërhyj në diskutimet mes partive politike. Thjesht çka mund të bëj, është t’u uroj suksese të plota në krijimin e qeverisë, e cila do të marrë vendime në interes të qytetarëve”, kishte shtuar Osmani disa javë më parë.

Këto deklarata të Osmanit, sot, kanë marrë ‘kuptim të plotë’. Kjo për shkakun se, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka bërë me dije se vetë Osmani ka qenë pjesë e këtyre diskutimeve ‘’prapa dyerve të mbyllura’’. Edhe pse, të paktën, jo për krijimin e qeverisë, porse për çështjen e buxhetit.

I pari i LDK’së, në postimin e tij të bërë në Facebook, ka thënë se ai i kishte shprehur gatishmëri Osmanit që të votohet një pako, e cila do të quhej ‘’Pako e Presidentes’’, për zgjatimin e buxhetit për 3 muaj, me votimin e Ligjeve të Prishtinës e Gjilanit, me sigurimin e pagave për RTK-në, si dhe me votimin e Pakos Evropiane të Rritjes.

‘‘Në mbrëmjen e nominimit të Glauk Konjufcës, i kam shprehur gatishmërinë Presidentes së vendit që të votohet një pako, e cila madje mund të quhej edhe Pako e Presidentes; me zgjatimin e buxhetit për 3 muaj, me votimin e Ligjeve të Prishtinës e Gjilanit, me sigurimin e pagave për RTK-në, si dhe me votimin e Pakos Evropiane të Rritjes’’, ka shkruar sot ai.

Abdixhiku, po ashtu, ka thënë edhe se Osmani ka vazhduar këto diskutime të ‘fshehura’ edhe me Lëvizjen Vetëvendosje, të cilët janë shprehur ‘’pozitivë’’ për idenë e kryetarit të LDK’së.

‘’Në mbrëmje, po atë mbrëmje, menjëherë pas mandatimit të Konjufcës, Presidentja më ka kontaktuar, duke më thënë se ka komunikuar me mandatarin, ua ka përcjellë porosinë Lëvizjes Vetëvendosje, dhe ata janë shprehur shumë pozitivë për këtë ide’’, ka thënë ai.

Ndryshe, Osmani, është kritikuar nga njohës të ndryshme për shkak të deklaratave të saja lidhur me çështjen e buxhetit, dhe atë të RTK’së. Të njëjtit kanë vlerësuar se deklaratat e Osmanit tingëllojnë si të ishin të një ‘’zëdhënëseje’’ të VV’së, dhe se ajo, po shfaqe ‘’hapur në fushatë’’ për VV’në.