Në Sallën e Ekspozitave të Qendrës së Kulturës “Trajko Prokopiev” – Kumanovë, nesër me fillim në ora 19:30, do të hapet ekspozita “Peizazhe asociative – Metamorfoza e dritës” e autorit Muhamet Idrizi.
Ekspozita personale e Muhamet Idrizit në Kumanovë përmban 20 piktura, të punuara me teknikën akril në pëlhurë dhe janë pjesë e produksionit më të ri të Idrizit.
Muhamet Idrizi ka lindur në vitin 1986 në Kumanovë. Ka diplomuar në Universitetin Shtetëror të Tetovës, në drejtimin pikturë, në klasën e profesorit Ilirian Beqiri në vitin 2009. Studimet master i ka përfunduar në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” – Shkup, në klasën e profesorit Jovan Shumkovski në vitin 2019, drejtimi – pikturë. Që nga viti 2010 punon si mësues në shkollë fillore në Likovë. Në vitin 2019 ka fituar çmimin për vizatimin më të mirë në Ekspozitën Kolektive të Arteve Figurative “Penda ime” – Kumanovë. Ka realizuar ekspozita personale dhe ka marrë pjesë edhe në shumë ekspozita kolektive.
Ekspozita do të jetë e hapur deri më 11 dhjetor.
Projekti është pjesë e programit vjetor të Qendrës për Kulturë dhe mbështetet nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit e Maqedonisë.











