Ermal Sadiku është bërë pjesë e LDK-së.
Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku.
Postimi:
Mirë se vjen, Ermal!
Ermal Sadiku, një prej emrave më të shquar të inxhinierisë, inovacionit dhe sipërmarrjes teknologjike në Kosovë, nga sot i bashkohet Lidhjes Demokratike të Kosovës.
I lindur dhe rritur në Prishtinë, Ermal Sadiku që në hapat e parë të karrierës së tij akademike ishte një prej studentëve më të përgatitur të gjeneratës. Studimet e avancuara në Gjermani i dhanë jo vetëm ekspertizë të thellë teknike, por edhe një perspektivë ndërkombëtare mbi inovacionin, standardet moderne të industrisë dhe mënyrat se si ndërtohen ekosistemet e qëndrueshme teknologjike. Pikërisht këto përvoja formësuan vizionin e tij profesional, që sot përbën një vlerë të çmuar për vendin.
Pas kthimit në Kosovë, Ermal Sadiku u bë një nga zërat udhëheqës të transformimit digjital.
Si themelues i disa prej kompanive më të suksesshme të sektorit ICT, ai ka kontribuar drejtpërdrejt në rritjen e industrisë vendore të teknologjisë, duke krijuar vende pune me standarde ndërkombëtare dhe duke dëshmuar se edhe nga Kosova mund të ndërtohen produkte që konkurrojnë denjësisht në tregun global.
Ai ka shërbyer si ligjërues universitar, duke ndarë dije me gjenerata të tëra studentësh. Si kryetar i Bordit të STIKK, ai ka ndikuar në hartimin e politikave dhe strategjive që kanë ndërtuar ekosistemin e sotëm të fortë të teknologjisë në vend. Përmes mentorimit dhe trajnimeve, ai vazhdon të jetë inspirim për qindra të rinj që ëndërrojnë një karrierë në fushën e inovacionit.
Sot, Ermal Sadiku njihet si një prej figurave kryesore të inovacionit dhe sipërmarrjes në Kosovë; një profesionist me vizion, një lider me përvojë dhe një kontribues i palodhur në zhvillimin e digjitalizmit.
Aderimi i tij në LDK është forcim i ekipit tonë. Ai vjen me profesionalizëm, integritet e përvojë. Ai vjen si një adresë e tashme politike dhe e ardhme e sektorit më me potencial në Kosovë.
Ne na udhëheqë besimi në potencialin e të rinjve kosovarë; se ata janë çelësi për të ndërtuar një të ardhme më të mirë; një të ardhme ku Kosova qëndron denjësisht në hartën e inovacionit global.
Ardhja e tij, dhe e shumë të tjerëve që po na bashkohen, është një thirrje e qartë për bashkim të secilit që beson se vendi meriton më shumë; që dëshiron ndryshim dhe angazhohet për të.
Dyert tona janë të hapura.
Mirë se vjen, Ermal Sadiku!
Paç shëndet e përkushtim në këtë rrugëtim të ri.











