Doktori i njohur Adriatik Berisha sot i është bashkuar PDK-së.
Hematologu është bërë i njohur për publikun në mars të këtij viti, kur ish-presidenti Hashim Thaçi nga Gjykata Speciale erdhi në QKUK për të vizituar babanë e tij në sëmur.
Gjatë kësaj vizite, Adriatik Berisha i kishte qëndruar vazhdimisht pranë Thaçit.
Madje, ai ishte njeriu i fundit që e kishte përqafuar ish-presidentin para së ai të futej në veturën e EULEX-it për t`u nisur drejt Hagës.
Pamjet që kanë ofruar mediat shihet që doktori në fjalë qortohet nga një sigurim me maskë të Speciales që e përcillte Thaçin.
Këtë vërejtje ai e kishte marrë për shkak të një komunikimi që kishte pasur në ato momente me Thaçin.
Kur ishte pyetur se çka kishte biseduar me Thaçin në ato momente, ai nuk kishte pranuar të tregonte.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, sot e ka prezantuar Adriatik Berishën si përforcimin më të ri të PDK-së.
Në profilin e tij në “Facebook”, Hamza ka shkruar se përveç ekspertizës së tij, ai ka treguar gjithmonë përkushtim, humanizëm dhe vlera të forta atdhetare.
“Ekipit tonë iu bashkua një profesionist i jashtëzakonshëm: hematologu i njohur, Dr. Adriatik Berisha. Përveç ekspertizës së tij, ai ka treguar gjithmonë përkushtim, humanizëm dhe vlera të forta atdhetare. Kosova ka nevojë për profesionistë dhe PDK është shtëpia e tyre. Mirë se erdhe në familjen tonë politike, Dr. Adriatik!”, ka shkruar Hamza.









