Pak orë para ndeshjes që Bayern Munich do të luajë sonte në Londër ndaj Arsenal, trajneri i bavarezëve Vincent Kompany dha një koment për këtë sfidë. “Ne fituam katër ndeshjet e para dhe kjo ishte e rëndësishme. Deri më tani, kemi bërë atë që kishim ndërmend të bënim dhe shpresojmë të vazhdojmë kështu”, tha Kompany.
“Të luajmë kundër këtij ekipi do të jetë detyra më e vështirë me të cilën do të përballemi tani. Dhe jemi të lumtur për këtë, pasi kjo është arsyeja pse jemi këtu, kjo është ajo që duam, të luajmë dhe fitojmë me më të mirët“, tha më tej trajneri belg.
Lidhur me trajnerin e “topçinjve”, Kompany theksoi cilësinë e punës së Mikel Arteta: “Ai luajti një rol themelor te Arsenal. Trajnerët duan të fitojnë trofe, por ne gjithashtu shohim se si duhet të organizohen dhe stërviten ekipet. Pak ekipe mbrohen aq mirë në zonën e penalltisë dhe pak ekipe janë më të organizuara në situata pa gola”.
“Ata kanë qenë së bashku për një kohë të gjatë nën drejtimin e Arteta dhe kjo duket. Mezi pres për këtë sfidë: jemi në formë të mirë gjithashtu”, shtoi Kompany, që përditësoi gjendjen fizike të ekipit:
“Serge Gnabry është mirë. Do të shohim nëse ai mund të luajë të gjitha 90 minutat. Isha i shqetësuar, por ai po tregon shenja të mira; duket pozitiv. Joshua Kimmich gjithashtu dha indikacione të shkëlqyera. Ishte një ditë pozitive: ndoshta do t’i kemi të gjithë lojtarët tanë në dispozicion”, deklaroi Kompany.
“Është e vërtetë se ka shumë gjëra për t’u marrë në konsideratë kundër Arsenal, por ata duhet të bëjnë të njëjtën gjë. Ne duam të kemi një ditë të mirë dhe nëse mund ta bëjmë këtë do të jemi në gjendje të tregojmë vlerën tonë. E di çfarë e bën Arsenal të veçantë, por nuk dua të harroj se çfarë na bën ne të veçantë. Sot duam ta demonstrojmë këtë”, përfundoi Kompany.
The post Kompany s’i trembet Arsenal: Detyra jonë është të luajmë dhe fitojmë ndaj më të mirëve appeared first on Telesport.









