Punëtorët e Radio Televizionit të Kosovës edhe të mërkurën do të vazhdojnë grevën e përgjithshme. Greva e 700 punëtorëve të televizionit shtetëror pritet të vazhdojë çdo ditë nga ora 11:00 deri në orën 13:00, me pezullimin e të gjitha punëve në çdo sektor, deri në realizimin e pagave.
Radio Televizioni i Kosovës po përballet me njërën nga krizat më të rënda në historinë e tij, teksa punëtorët kanë hyrë në muajin e dytë pa paga. Mosekzekutimi i pagave për 24 ditë dhe vonesat e vazhdueshme në pagesat e transmetuesit publik kanë ngritur shqetësime të thella për të ardhmen e pavarësisë së tij financiare dhe editoriale
Sindikata dhe stafi i RTK-së e kanë cilësuar këtë situatë si “kriza më e madhe që ka përjetuar ndonjëherë transmetuesi publik”, duke kërkuar nga Qeveria në detyrë veprim urgjent për të siguruar mbijetesën institucionale të medias publike. Në anën tjetër, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në përgjigjen e dërguar për organizatat ndërkombëtare, ka thënë se pa komision parlamentar nuk mund të ketë paga për RTK-në.
Gjatë këtij muaji, punëtorët e RTK-së kanë protestuar tri herë për pagat, por pa gjetur zgjidhje. Për këtë arsye, nga e hëna ata kanë nisur grevën.
Situata aktuale është bërë edhe më problematike pasi presidentja Vjosa Osmani ka shpërndarë Kuvendin e Kosovës për shkak të mosarritjes së një marrëveshjeje ndërmjet subjekteve politike për formimin e Qeverisë. Pa Kuvend nuk mund të miratohen komisionet parlamentare, përfshirë ato që duhen për buxhetin e RTK-së.










