Shtëpia e Bardhë: Ende ekzistojnë sfida të vogla për arritjen e paqes Ukrainë-Rusi

Shtetet e Bashkuara kanë bërë përparim të konsiderueshëm drejt një marrëveshjeje paqeje midis Ukrainës dhe Rusisë, por disa çështje delikate mbeten ende për t’u adresuar.

Kështu njoftoi Karoline Leavitt, sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, në një mesazh të fundit në X, duke përditësuar publikun mbi negociatat e planit të paqes.

“Gjatë javës së kaluar, Shtetet e Bashkuara kanë bërë një përparim të jashtëzakonshëm drejt një marrëveshjeje paqeje duke i sjellë si Ukrainën ashtu edhe Rusinë në tryezë. Ka disa detaje delikate, por jo të pakalueshme, që duhet të zgjidhen dhe do të kërkojnë bisedime të mëtejshme midis Ukrainës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara”, shkroi ajo.

Zyrtarët amerikanë theksojnë se pavarësisht sfidave të vogla që kanë mbetur, dialogu dhe koordinimi ndërkombëtar janë duke avancuar për një zgjidhje të qëndrueshme paqeje.

Ndryshe, Ukraina ka rënë dakord për propozimin e paqes të ndërmjetësuar nga administrata e presidentit amerikan, Donald Trump.

Theksojmë se Rusia ka nisur pushtimin e shtetit ukrainas më 24 shkurt të vitit 2022 duke shkaktuar mijëra viktima dhe dëme të shumta materiale.