Sipas Sylës, i arrestuari është Avni Qenaj nga fshati Romajë i Prizrenit, i cili gjatë luftës ka shërbyer në brigadën 138 “Agim Ramadani” në Koshare.
Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Gazmend Syla, ka konfirmuar se autoritetet serbe kanë arrestuar një ish-pjesëtar të UÇK-së.
Sipas Sylës, i arrestuari është Avni Qenaj nga fshati Romajë i Prizrenit, i cili gjatë luftës ka shërbyer në brigadën 138 “Agim Ramadani” në Koshare.
“Ai është arrestuar dhe, sipas informacioneve që kemi, me gjasë i është gjetur në xhep kartela e anëtarësisë së veteranit gjatë kontrollit. Ndërkaq, nga të dhënat që morëm, Qenaj kishte kaluar dy-tri herë më herët nëpër Serbi pa pasur ndonjë problem”, deklaroi Syla.
Më herët gjatë ditës Autoritetet në Serbi kanë njoftuar të martën se kanë arrestuar një ish-pjesëtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të identifikuar me inicialet A.Q. Në bazë të pretendimeve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ai dyshohet për “kryerjen e gjenocidit dhe krimeve të luftës” gjatë konfliktit të armatosur në Kosovë në vitin 1999.
Ky është një rast tjetër në serinë e ndalimeve të fundit, që kanë ngritur drojë për sigurinë e qytetarëve të Kosovës që udhëtojnë përmes pikave kufitare nën kontrollin e autoriteteve serbe, dhe vjen në kohën e rritjes së tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë.
Autoritetet e Kosovës kanë bërë vazhdimisht thirrje për qytetarët që të shmangin çdo lloj udhëtimi apo kalimi tranzit përmes territorit të Serbisë, duke pasur parasysh rrezikun e shtuar për ndalime dhe arrestime arbitrare nga autoritetet e Serbisë.











