Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidati për kryeministër në zgjedhjet e 28 dhjetorit, Bedri Hamza, i është drejtuar sot qytetarëve me një video-adresim, ku ka kërkuar besimin e tyre për t’i dhënë, siç tha ai, “një drejtim të ri dhe stabil” vendit.
Në mesazhin e tij, Hamza e ka cilësuar 28 dhjetorin si një ditë vendimtare për të ardhmen politike të Kosovës, duke theksuar se me votën e tyre qytetarët do të përcaktojnë nëse vendi do të ketë një qeveri stabile apo nëse do të vazhdojë, siç u shpreh ai, me “kriza, përçarje e papërgjegjësi”.
“Qytetarë të dashur, me 28 dhjetor vota juaj do ta përcaktojë drejtimin e Kosovës. Një përgjegjësi e rëndësishme, por një mundësi e madhe për ndryshim. A do të kemi një qeveri stabile, një qeveri që na bashkon të gjithëve dhe një kryeministër qe u shërben me të vërtetë qytetarëve, apo do të vazhdojmë me të njëjtin avaz të krizave, përçarjeve e papërgjegjësisë. Unë e zgjedh të parën, prandaj sot po kërkojë besimin tuaj. Me jepni besimin që unë ta rikthejë stabilitetin në Kosovë. Me besoni që unë ta formojë një qeveri me njerëz të aftë dhe të ndershëm. Një qeveri që mban premtime dhe që i vendosë qytetarët në radhë të parë.” – u shpreh Hamza ndër të tjera.











