Zanafilla e kolapsit të Prishtinës që po manifestohet me Trafikun Urban, kush, çfarë hise ka në krizën e shkaktuar me buxhetin

Beteja politike në Asamblenë Komunale të Prishtinës mes akterëve politikë të përfaqësuar aty, ka çuar në një krizë të paparë në historinë e qeverisjes së kryeqytetit. 

Në dy seancat e jashtëzakonshme të thirrura nga Lidhja Demokratike e Kosovës, një më datën 18 shtator dhe tjetra më 30 shtator 2024, Kuvendi Komunal i Prishtinës s’ka arritur që të miratojë brenda afatit buxhetin për vitin 2025.

Partitë opozitare kishin shprehur kritikat e tyre për atë se si ishte planifikuar buxheti për vitin 2025, derisa kryetari i Komunës së Prishtinës i kishte akuzuar për bllokim të projekteve të kryeqytetit.

Megjithatë, përkundër përplasjeve dhe vonesave, Kuvendi Komunal i Prishtinës kishte arritur që ta miratonte buxhetin për vitin 2025 vetëm në dhjetor të vitit 2024 me 25 vota për dhe një abstenim. Buxheti për vitin 2025 për kryeqytetin ishte miratuar 128 milionë euro.

Për shkak të kësaj vonese në miratimin e buxhetit brenda afatit të rregullt që përcaktohet me ligj e që është 30 shtatori, dritën e gjelbër për të do të duhej ta jepte edhe Ministria e Financave dhe Qeveria e Kosovës, për ta proceduar më pas atë për miratim në Kuvendin e Kosovës.

Këtë problem me miratimin e vonuar të buxhetit të Komunës së Prishtinës e ka bërë edhe më kompleks kriza institucionale dhe politike që ka rrjedhur pas zgjedhjeve të shkurtit 2025.

Nga Komuna e Prishtinës e kanë akuzuar Ministrinë e Financave dhe kreun e kësaj ministrie, Hekuran Murati, se e ka vonuar përcjelljen e propozimit për buxhet të vitit 2025 drejt Qeverisë së Kosovës, në mënyrë që të miratohej gjatë kohës sa Kosova kishte ende Kuvend funksional.

Kjo vonesë e shtyrjes përpara të buxhetit të Komunës së Prishtinës dhe kriza institucionale që kishte rrjedhur më pas, ka shtyrë kryeqytetin drejt një krize të thellë financiare.

Që nga shkurti 2025 kur ishin mbajtur zgjedhjet e reja nacionale, Kosova për muaj të tërë s’kishte pasur Parlament të konstituuar.

Vetëm tetë muaj pas, me datën 10 tetor, deputetët e Kuvendit të Kosovës kishin votuar për konstituimin e tij, duke hapur rrugë më pas për krijimin e qeverisë së re.

Lëvizja Vetëvendosje që kishte dalë e para në zgjedhjet e shkurtit, kishte provuar fillimisht që të krijojë qeverinë e re me Albin Kurtin si të nominuar për kryeministër. Pa asnjë koalicion me ndonjë prej partive politike, kreu i VV-së, Albin Kurti kishte dështuar të marrë votat e mjaftueshme në Kuvend të Kosovës.

Në mes të dështimit të parë të Kurtit dhe hedhjes në votim të Glauk Konjufcës si i mandatuar i dytë nga presidentja, LVV kishte thirrur një seancë të jashtëzakonshme për të krijuar komisionet e përhershme parlamentare e për të votuar buxhetet për Kryeqytetin, Komunën e Gjilanit, atë për RTK dhe Planin e Rritjes së BE-së.

Në një mbledhje të tillë kanë marrë pjesë vetëm deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, derisa partitë ish-opozitare kanë refuzuar që të bëhen pjesë me arsyetimin se në Kuvend të Kosovës s’mund të procedohet me asnjë pikë tjetër, përveç asaj të votimit të Qeverisë së re.

Pas dështimit të kësaj seance, LVV në vazhdimësi kishte drejtuar akuza në adresë të LDK-së për mospjesëmarrjen në këtë seancë ku do të mund të votoheshin buxhetet, përfshirë edhe ai për komunën e Prishtinës, shkruan Gazeta Express.

Në këtë proces është përfshirë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila në një konferencë për media ka treguar se pas dështimit të Konjufcës si i mandatuar, kishte provuar për herë të fundit që të bindte partitë politike për t’i votuar këto buxhete dhe më pas për të proceduar me nënshkrimin e shpërndarjes së Kuvendit dhe shpalljes së zgjedhjeve të reja. Megjithatë për shkak të dështimit, ajo ka proceduar me shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja që do të mbahen me 28 dhjetor.

Osmani në një prononcim për media të hënën, ia ka lënë fajin partive të ish-opozitës për këtë dështim, gjë për të cilën i ka reaguar edhe kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku. Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka treguar se kishte propozuar të votonin në pako të gjitha buxhetet, por thotë se që s’kishte marrë asnjë sinjal që nga nata kur ishte nominuar Konjufca për kryeministër, ndonëse kishte pasur gatishmëri edhe nga PDK, AAK dhe NISMA.

Gjithë këto beteja politike në nivel komunal e nivel nacional, kanë çuar kryeqytetin buzë kolapsit. Shërbimi i parë që është ndalur për shkak të mospagesës së obligimeve është ai i transportit publik. Që nga kjo e hënë, në kryeqytet nuk ka transport publik, derisa sot të gjithë punonjësit e transportuesve, publik dhe privat kanë protestuar në qendër të kryeqytetit, të cilëve iu është bashkuar edhe kreu i Prishtinës, Përparim Rama.

Rama ka kërkuar nga ministri i Financave në detyrë, Hekuran Murati, që t’ia lëshojë Komunës së Prishtinës 37 milionë eurot e të hyrave vetanake, për të zhbllokuar gjithë krizën me shërbimet në kryeqytet. Në një konferencë për media, Rama ka kërkuar që të ndahen këto mjete buxhetore dhe që të mos bllokohet kryeqyteti.

Përveç Komunës së Prishtinës, problem të ngjashëm kanë edhe Komuna e Gjilanit dhe ajo e Zubin Potokut.