Vlera Gjakova, ish-anëtarja e Lëvizjes Vetëvendosje ka zbërthyer në hollësi strategjinë e Albin Kurtit në raport me krizën e tejzgjatur politike dhe zgjedhjet e jashtëzakonshme.
Ish-kandidatja për deputete në listën e Vetëvendosjes në zgjedhjet e vitit 2019 dhe mbesa e Konsullit Gjeneral të Kosovës në Nju Jork, Blerim Rekës, i ka dërguar një mesazh autorit të emisionit ‘Zonë e Lirë’ në MCN TV të premten.
Në këtë mesazh, Gjakova shkruan se zgjatja e krizës politike në Kosovë nuk është gabim i Kurtit, por mjet i tij.
“Do të lexoj një mesazh nga një personazh që nuk e njoh fare, quhet Vlera Gjakova”, tha Çani të premten.
Sipas analizës së ish-kandidates për deputete të LVV-së, e cila është nga Shkupi, Kurti po përgatit terrenin për një formë të re të konsolidimit të pushtet.
“Më thotë: Çani të lutem, kisha një mesazh, të thuash Kurti dështoi është versioni i thjesht i ngjarjes. Por, në fakt dështimi i tij është i dizajnuar. Ai nuk dështoi rastësisht, ai dështoi sepse kështu deshi – kjo është strategjia. Kur një kryeministër lë vendin pa qeverisje funksionale për nëntë muaj, pa marrëveshje të brendshme dhe pa koordinim institucional nuk është paaftësi, është përgatitje e terrenit për një formë të re të konsolidimit të pushtetit”, i shkroi Gjakova, Çanit.
“Vakumi i zgjatur nuk është gabim, është mjet. Sepse vakumi krijon panik, paniku krijon konfunzion dhe varësia krijon autoritet absolut. Dhe, këtu vjen thelbi filozofik: liderët që ndërtojnë pushtetin mbi krizën nuk qeverisin kohën, ata qeverisin ankthin”, vazhdon ajo.
“Qytetari nuk voton më për program, voton për stabilitetin imagjinar që vetëm ai pretendon se mund ta sjellë. Për këtë arsye, zgjedhjet e ardhshme nuk janë thjesht procedurë demokratike, janë instrument legjitimimi”, shkruan Gjakova. “Çdo krizë e zgjatur e rrit forcën e tij negociuese, pra të Kurtit”
“Pra, pyetja nuk është pse dështoi Kurti, pyetja është a ishte ky dështim mënyra më e rafinuar për të fituar më shumë se një mandat qeveritar për të hyrë në logjikën e pushtetit absolut”, shkruan Gjakova.
Çani e ka vlerësuar analizën e Gjakovës si “nivel i lartë”.











