Rama i drejtohet Muratit: Qiti paret ministër, 35 milionë euro mund të paguhen qysh sot

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka takuar pjesëtarët e Sindikatës së Punëtorëve të ‘Trafikut Urban’ dhe protestuesit e tjerë nga kompanitë private para objektit të Komunës dhe nga aty ka ftuar Qeverinë e Kosovës në detyrë, konkretisht ministrin në detyrë, Hekuran Muratin që ‘t’i lëshojë paret’.

“Qiti paret ministër, qiti paret, mënjëherë!”, ishte thirrja e Përparim Ramës.“35 milionë euro të hyrave vetanake, që mbahet jashtëligjshëm në Ministrinë e Financave, munden me u pagu sot, tash, në këtë moment.

Nuk ka asgjë që e ndal pagesën e 35 milionëve tash, e që me u pagu edhe operatorët publikë dhe privatë, që mos me i lanë qytetarët pa shërbime”.

Paraprakisht, Përparim Rama, në një konferencë për media ka fajësuar sërish qeverinë në detyrë për, siç ka thënë, mbajtje peng të mjeteve që duhet të ndahen për komunën.

“Ne kemi paralajmëruar me muaj të tërë për bllokadat që po i bëhen kryeqytetit prej ministrisë së Financave në mënyrë të jashtëligjshme. Dje ishim edhe me protestuesit përpara Ministrisë së Financave, përpara Qeverisë ku unë kërkova takim urgjent me ministrin e kryeministrin, por ata refuzuan të takohen. Jam edhe sot i gatshëm të takohem menjëherë kudo që ata dëshirojnë dhe ta zhbllokojmë këtë proces. T’i lëmë prapa politikat bllokuese të mbrapshta, fondet që na takojnë me ligj të transferohen menjëherë e të dalin pagat. Jam i gatshëm për çfarëdo mënyre alternative që ta zgjidhim këtë problem e të zhbllokohet procesi. Zgjidhja është shumë e thjeshtë, menjëherë mund të bëhet nga ministri. Fondet janë tonat, nuk ka asnjë bazë ligjore që t’i mbajë peng”, ka thënë ai në konferencën për media.

Rama në konferencë për media i ka kërkuar falje qytetarëve për çka po ndodhë realisht me transportuesit publik. Ai tha se edhe dje në protestë ka kërkuar takim me Kurtin dhe Muratin, por që është refuzuar nga ana e tyre.

Rama tha se është i gatshëm që menjëherë të zhvillojë një takim me ta.

“Për fat të keq jemi ende sot në gjendje të njëjtë sikur dje me protesta të cilat i kuptoj plotësisht. Ju kërkoj falje qytetarë që është ardh deri te kjo pozitë përkundër faktit që ne kemi paralajmëruar me muaj të tërë për bllokadat që po i bëhen Kryeqytetit prej Ministrisë së Financave në mënyrë të jashtëligjshme. Atë çka ne e meritojmë me ligj, janë të hyrat tona vetanake, rreth 35 milionë, ky problem do të zgjidhej por që edhe dje ishim me protestuesit para qeverisë, ku kërkkova takim me Ministrin në detyrë, por ata refuzuan. Jam edhe sot i gatshëm të takohemi menjëherë, kudo që ata dëshirojnë, dhe ta zhbllokojmë këtë proces”, tha i pari i Prishtinës.