7519 eurot e humbura: Vonesa burokratike në MPJD pengon kompensimin e diplomatit

Një vendim i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës ka hedhur poshtë ankesën e zyrtarit të lartë të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), V.K., për kompensimin e shpenzimeve shëndetësore që ky i fundit i kishte kryer në Kosovë, Turqi dhe më parë edhe në Bangladesh, shkruan Demokracia.com.

Vendimi, me numër protokolli 7151/2025, u mor nga Kolegji për Shqyrtimin dhe Vendosjen e Ankesave.

Sipas vendimit, ankesa e V.K. është hedhur poshtë si “e pasafatshme”, kryesisht për shkak të mosrespektimit të afateve ligjore për shqyrtimin e heshtjes administrative.

Kolegji shpjegon se ankuesi kishte parashtruar kërkesën për anulimin e njoftimit të datës 30.05.2024 dhe për aprovim të shpenzimeve shëndetësore më 19.05.2025.

Sidoqoftë, përgjigjja nga MPJD-ja duhej të ishte dhënë deri më 03.07.2025, ndërsa ankesa për heshtje administrative u parashtrua 7 ditë pas këtij afati, më 11 korrik 2025, dhe deri më 04 shtator 2025, duke e bërë atë “jashtë afatit ligjor”.

Vendimi i Kolegjit citon dispozitat e Ligjit Nr.05/L-031 për Procedurën e Përgjithshme Administrative, duke theksuar:

“Në rast se ligji i veçantë nuk ka paraparë një afat… afati i përgjithshëm i zbatueshëm për përfundimin e procedurës administrative është dyzetepesë (45) ditë nga fillimi i saj… Ankesa kundrejt heshtjes administrative mund të parashtrohet jo më herët se shtatë (7) ditë dhe jo më vonë se dy (2) muaj pas skadimit të afatit për njoftimin e aktit administrativ.”

Historiku i çështjes tregon se V.K. ka shpenzuar për trajtime shëndetësore 2,200 euro në Bangladesh dhe më vonë 7,519 euro në Kosovë dhe Turqi. Sipas vendimit, këto shpenzime nuk mund të kompensohen sepse:

  • Diplomati nuk kishte sigurim shëndetësor të detyrueshëm në vendin e shërbimit dhe vetë e kishte refuzuar lidhjen e sigurimit, duke deklaruar se nuk dëshironte të ngarkonte arkën e shtetit;

  • Kërkesat nuk kishin miratimin paraprak nga shefi i misionit;

  • Komisioni i MPJD-së ka vepruar sipas një rregulloreje të shfuqizuar, dhe vendimi për mos-aprovimin e shpenzimeve u njoftua pas krijimit të një përshkrimi të qartë administrativ.

Në këtë kontekst, Kolegji thekson se hedhja poshtë e ankesës nuk nënkupton mohim të së drejtës së ankuesit për të përsëritur kërkesën: “Hedhja poshtë e ankesës A.nr.1734/2024, nuk nënkupton mohimin e së drejtës së ankuesit që e njëjti serish të parashtroj kërkesë me bazë të njëjtë pranë organit të punësimit, e në rast të heshtjes së serishme administrative të këtij të fundit të ushtroj ankesë në Këshill brenda afateve ligjore…”

Ky rast evidencon një problem të përsëritur në administratën publike se vonesat dhe rregulloret e ndërlikuara shpesh bëhen pengesë për realizimin e të drejtave të zyrtarëve civilë. Edhe kur kërkesa është legjitime, përplasja me afatet ligjore dhe procedurat burokratike mund të çojë në refuzim, duke krijuar një situatë ku ligji respektohet formalisht, por rezultati praktik mbetet i kontestueshëm. /Demokracia.com/