Përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Alban Krasniqi dhe Sami Kurteshi, kanë dalë hapur kundër që KQZ t’ua dërgojë me postë fletëvotimin origjinal atyre votuesve jashtë Kosovës që regjistrohen për të votuar me postë.
Pavarësisht se rregullorja zgjedhore e KQZ-së për regjistrimin dhe votimin jashtë Kosovës kërkon që votuesve të regjistruar për votim me postë t’u dërgoj përmes postës: fletëvotimin, zarfin e fshehtësisë dhe zarfin kthyes – kjo gjë është kundërshtuar nga përfaqësuesit e partisë Vetëvendosje.
Pas debateve të ashpëra ndërmjet përfaqësuesve të partive ish-opozitare dhe atyre të partisë së kryeministrit në largim, Albin Kurti, KQZ-ja nuk ka arritur që ta votojë planin e buxhetit për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që do të mbahen më 28 dhjetor 2025.
Pikërisht “mollë sherri” është bërë mungesa e planifikimit buxhetor për të zbatuar Rregulloren e KQZ-së për votim jashtë vendit dhe nenin 9 të saj.

Anëtarët e partive ish-opozitare kanë kërkuar që KQZ-ja të zbatojë rregulloren zgjedhore e cila është në fuqi dhe të mos rrezikohet integriteti i votimit jashtë Kosovës, siç ka ndodhur në zgjedhjet e 9 shkurtit ku një numër i madh i ankesave janë paraqitur dhe institucionet e drejtësisë janë duke zhvilluar hetime.
Përfaqësuesi i PDK-së në KQZ-së, Ilir Gashi ka thënë se në zgjdhjet lokale të 12 tetorit kemi pasur një proces të votimit të diasporës me integritet të plotë, pasi që KQZ u kishte dërguar votuesve fletëvotimet original.
“Për herë të parë kemi dërguar fletëvotime origjinale në adresa të mërgimtarëve dhe ata kanë votuar siç e do rendi dhe ligji. Unë nuk do të doja të mendoja me u rikthy te 9 shkurti, te një proces i kontaminuar, me integritet të rrënuar, manipulativ”, ka thënë Gashi.











