Gjykata Themelore e Ferizajt ka aprovuar pjesërisht padinë e shefit protokollit, Afrim Matoshit kundër ish deputetit të Vetëvendosjes, Valon Ramadanit, lidhur me deklaratat e bëra në vitin 2021 në emisionin “Debat Plus”.
Ramadani, atëkohë deputet, kishte thënë se Matoshi kishte përfituar në mënyrë të padrejtë dhe kishte lidhje me “manipulime të lehta”.
E, sipas aktgjykimit të 21 nëntorit 2025, gjykata ka vërtetuar se deklaratat e Ramadanit përbëjnë shpifje dhe cenim të reputacionit të Matoshit.
Me këtë vendim gjyqësor, ish deputeti Ramadani detyrohet t’i kërkojë falje publike Afrim Matoshit në të njëjtin medium ku u bë deklarata, t’i paguajë poashtu paditësit 5 mijë euro dëmshpërblim jo-material, plus interes prej 8%, si dhe shpenzimet procedurale në vlerë 959 euro. Ai po ashtu obligohet të mos përsërisë veprime të ngjashme në të ardhmen.
Valon Ramdani e kishte akuzuar Matoshin për lidhje me kryetarin Agim Aliun.












