Kaos në Prishtinë: Protestuesit sfidojnë Policinë – “nuk e lëvizim asnjë autobus”

Punëtorët e Trafikut Urban dhe atij privatë po vazhdojnë protestën edhe ditën e sotme, si shkak i mosmarrjes së pagave. Por për dallim nga dje, sot punëtorët kanë gjetur një mënyrë tjetër të shprehjes së pakënaqësisë.

Protestuesit e “Trafikut Urban” dhe operatorëve privatë kanë pasur një diskutim më të ashpër me Policinë e Kosovës, të cilëve u thanë se nuk do të lëviz asnjë nga autobusët që është vendosur në rrugën “Agim Ramadani” pa përfunduar protesta.

Ai ka thënë se për këtë ishin lajmëruar institucionet një ditë më parë, por kërkon edhe nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati që të reflektojë.

“Asnjë nuk lëvizim pa u kry protesta, as nuk jemi për drogë e as për hajni por për protestë. Të shohim, sekretari ka e dhënë deklaratën, atëherë i largojnë, nesër fillojnë edhe më gjerë. Ne jemi në të drejtën dhe vendin tonë. Autobusët që janë në “Agim Ramadan” pa përfundu protesta asnjë nuk lëvizim. Ne e kemi paralajmëruar dje që protesta ka me qenë në këtë rrugë dhe nuk lëvizim për dy-tre orë. Autobusët asnjë nuk kanë me u largu. Duhet me reflektu Ministria e Financave. Autobusët e Trafikut Urban dhe privatë nuk lëvizin pa u kry protesta, pikë”, tha njëri nga protestuesit.

Operatorët privatë të prerë: Nuk i largojmë autobusët. Pikë!

Punëtorët e “Trafikut Urban” dhe ata të operatorëve privatë nga e hëna kanë ndërprerë qarkullimin në kryeqytet meqenëse nuk kanë marrë pagat e tyre.

Me autobusë punëtorët do qarkullojnë edhe nëpër qendër të kryeqytetit.

Në protestën e një dite më parë, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, iu bashkua transportuesve, duke akuzuar Qeverinë për bllokim të buxhetit dhe “sabotazh” ndaj Komunës.

Ndonëse më vonë u mbajt një takim, por asnjë marrëveshje nuk rezultoi mes punëtorëve të “Trafikut Urban”, operatorëve privatë dhe ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati.

I pyetur nga Telegrafi nëse Ministria e Financave i ka alokuar këto mjete, ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv të Trafikut Urban, Qendrim Vitija, konfirmoi se të premten është pranuar një shumë financiare.

“Ministria e Financave të premten (21 nëntor) e ka lëshuar një shumë monetare në llogari të Komunës së Prishtinës. Realisht, në takimet që kemi pasur me kryetarin Përparim Rama, na ka njoftuar se Ministria e Financave ka liruar 3.2 milionë euro për Komunën e Prishtinës”, deklaroi Vitija.

“Në kuadër të kësaj, vetëm Trafiku Urban deri në muajin tetor ka pasur fatura të dorëzuara në Komunën e Prishtinës në vlerë rreth 2.7 milionë euro. Që i bie që 2.7 milionë euro Komuna e Prishtinës ka obligime ndaj Trafikut Urban”, shtoi ai.

U alokuan 680 mijë euro, Vitija nga Trafiku Urban: Nuk mjafton që të rifillojmë punën