Zgjedhjet e 28 dhjetorit në Kosovë vijnë pas një ngërçi politik dhe institucional.
Pas një periudhe të gjatë krize dhe ngecjeje politike, vendi po përballet brenda një viti me tri palë zgjedhje.
Çdo parti duhet të ketë një plan të qartë se si do të tejkalojë ngërçin, pasi përgjegjësia ndaj situatës nuk është e njëjtë për të gjithë.
Kështu po deklaron për “Front Online” ish-bashkëpartiaku i kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit, Visar Ymeri.
Ymeri është shprehur se përkrahja për Vetëvendosje mund të pësojë rënie.
“Është vështirë të thuhet nëse përkrahja për VV ose cilëndo prej partive do të mbetet e njëjtë apo do të lëviz. Logjika e thotë se VV do të kenë rënie shtesë në përqindje meqë kjo rënie ka qenë e vazhdueshme për një kohë të gjatë”, tha Ymeri.
Ai tha se vendimi për të mbajtur zgjedhjet më 28 dhjetor, kur pjesëmarrja e diasporës është më e lartë, tregon edhe frikën e partisë.
“Koha e mbajtjes së zgjedhjeve dhe mënyra e shkuarjes në zgjedhje e ndikojnë rezultatin. Fakti që VV ka insistuar që zgjedhjet të jenë më 28 dhjetor kur e kemi praninë më të madhe të mërgatës në Kosovës flet edhe për frikën e VV-së nga vota e votuesve që jetojnë këtu, por edhe për nevojën që të krijojë përshtypjen e fitores së padiskutueshme”, u shpreh Ymeri.
Sipas Ymerit, bllokimi i themelimit të institucioneve ka ndryshuar perceptimin e elektoratit ndaj VV-së.
“Bllokimi i themelimit të institucioneve ka ndikuar që VV sot të shikohet me sy tjerë nga elektorati: edhe si moskokëçarëse ndaj interesit të vendit edhe e pa aftë për të bërë marrëveshje politike”, thotë ai.











