Elshani i PDK-së: Garat e grupeve kriminale për manipulim me votat e diasporës kanë marrë fund

Përfaqësuesi i Partisë Demokratike të Kosovës në KQZ, Arianit Elshani, ka reaguar ashpër ndaj përpjekjeve për të cenuar procesin e votimit të qytetarëve të diasporës, duke theksuar se epoka e manipulimeve ka përfunduar.

“Elshani deklaroi se ‘garat e grupeve kriminale se kush manipulon me votat e diasporës ka marrë fund’”, duke nënvizuar se modeli i mëhershëm i parregullsive të datës 9 Shkurt nuk do të përsëritet.

Ai theksoi se zgjedhjet lokale dëshmuan qartë një proces të rregullt, pa asnjë ankesë për regjistrimin e votuesve apo pranimin e zarfeve me fletëvotime individuale nga diaspora.

Sipas tij, e drejta e votës për çdo qytetar që jeton jashtë vendit është e padiskutueshme dhe e patjetërsueshme, mirëpo kjo e drejtë nuk mund të shfrytëzohet për t’i hapur rrugë abuzimeve.

“Çdo tentativë për t’i lënë hapësirë grupeve kriminale të manipulojnë me regjistrimin apo votimin e qytetarëve të diasporës nuk do të kalojë,” u shpreh Elshani.

Ai rikujtoi se secilit qytetar të diasporës duhet t’i dërgohen fizikisht zarfi dhe fletëvotimi në adresën ku ata jetojnë, si mënyrë e vetme për të garantuar integritet të plotë të procesit.