Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar sot buxhetin për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, i cili kap vlerën totale prej 7 milionë e 771 mijë e 486 euro.
Sipas KQZ-së, buxheti përfshin tri kategori kryesore të shpenzimeve:
Pagat dhe shtesat – 109 mijë euro
Mallra dhe shërbime – 1 milion e 652 mijë e 575 euro
Shpenzime komunale – 9 mijë e 500 euro
Drejtori i Sekretariatit të KQZ-së, Besnik Buzhala, tha se pjesa më e madhe e buxhetit shkon për mallra dhe shërbime, ku përfshihen shtypja e fletëvotimeve, listat e votuesve, shërbimet postare për votimin jashtë vendit, transporti i materialit zgjedhor, kabinat e votimit, ngjyra martikulare, furnizimi me vula dhe logjistika tjetër teknike.
KQZ miratoi edhe vendimin për kufizimin e shpenzimeve të fushatës për subjektet politike që do të certifikohen për pjesëmarrje në zgjedhje.
Bazuar në numrin preliminar të votuesve — 2,076,422 — secilit subjekt politik i lejohet të shpenzojë deri në 2,047,149 euro, ose 1 euro për votues të regjistruar, ashtu siç parasheh Rregullorja Zgjedhore nr. 07/2024.
Buzhala nënvizoi se kufiri është detyrues dhe nuk mund të tejkalohet nga asnjë subjekt politik.
Sipas përditësimit të fundit të Agjencisë për Regjistrim Civil, Sekretariati i KQZ-së ka pranuar shifrën 2 milionë e 706 mijë e 422 votues, dhe bazuar në këtë numër, zyrtarisht u rekomandua që kufizimi i shpenzimeve të vendoset në 2,706,422 euro.
Për zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit, ishin planifikuar 8.7 milionë euro, ndërsa shpenzimet reale kishin arritur rreth 7.9 milionë euro, sipas raporteve të KQZ-së.











