“Votimi do të kishte qenë i ligjshëm”-Osmani i bashkohet tregimit juridik të Hekuran Muratit për Buxhetin

Vjosa Osmani, Presidente e Kosovës dhe juriste me shkollim e zanat, është pikëtakuar juridikisht me leximet ligjore dhe kushtetuese të Hekuran Muratit, ky i fundit jurist thjesht me hobi. Për çështjen e Buxhetit të 2026’ës, Osmani tha se votimi i tij, me propozim të një qeverie kujdestare të zgjedhur nga legjislatura e 2021’ës, nga një kabinet deputeto-qeveritar, do të mund të ishte i mundshëm dhe “i ligjshëm” në legjislaturën e zgjedhur me 2025’ën. Osmani në një deklarim të sotëm për media s’pa ndonjë problem që këto dy legjislatura nuk takoheshin assesi: “Kam kërku nga partitë të mblidhen dhe ta votojnë buxhetin, për këto komuna ka qenë pikë e veçantë, por kanë vendosur mos të jenë të pranishëm. Një gjë e tillë është e lejueshme, nuk është e kundërligjshme, pasi një gjë të tille e kemi votu edhe në Qeverinë Hoti”, ka thënë Osmani. Saktësisht të njëjtën gjë e mirëmban Hekuran Murati, përveç në përmbajtje edhe në sintaksë. Pavarësisht se Qeveria Hoti, ndonëse në detyrë, ishte produkt i legjislaturës së njëjtë dhe nuk kishte papajtueshmëri kushtetuese siç qe rasti i Albin Kurtit & Co, të cilët me vendim të Gjykatës Supreme, janë konstatuar të mbajnë në kundërshtim me Kushtetutën dhe Ligjin për Qeveri, pozita ekzekutive njëkohësisht me pozita legjislative.

Fushata zgjedhore ka nisur me tone të ashpra akuzuese mes palëve garuese me Vetëvendosjen që, pa i pasur votat për zgjedhje të qeverisë, kishte thirrur seancë të jashtëzakonshme për buxhet 3 orë para seancës për votimin e Konjufcës. Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës përcaktojnë që një legjislaturë, pas konstituimit të Kuvendit, gjënë e parë që bën është zgjedhja e Qeverisë; dhe në rast të moszgjedhjes, shpërbëhet dhe vendi shkon në zgjedhje të reja parlamentare. Por, këtu Vetëvendosje e vendosi “ndërmjet” një buxhet, sipas të gjitha paramentrave, elektoral. Tashmë tregimi është se partitë ish-opozitare “bllokuan buxhetin” dhe rrezikuan vendin të kalojë në krizë financiare dhe sociale. Këtij tregimi ia dha edhe një dorë ndihmese Vjosa Osmani.

“Dhe ja, në vend se të përgjigjet pse nuk e votoi buxhetin e Prishtinës për vitin 2025, Lumir Abdixhiku qenka marrë me fushatë për zgjedhjet e 28 dhjetorit. Kjo veç çka e vërteton atë që e thash, se këta fare nuk e kanë hallin te qytetari, përndryshe do ta kishin votuar buxhetin jo veç të Prishtinës por edhe të RTK-së e të shtetit për vitin 2026 e nuk do të kishin rrezikuar pagat, pensionet, e shumë shërbime tjera esenciale. E turpshme Lumir!”, shkroi Hekuran Murati.

Murait, përveç përforcimit të fjalëve të veta nga Vjosa Osmani, gjeti vazhdimin e të njëjtës logjikë nga Fitore Pacolli e Vetëvendosjes: se votimi për buxhetin ishte i mundur, por se LDK-ja, dhe të tjerët, nuk morën pjesë.

“Më 19 nëntor 2025, në ora 11:00, kemi pasur seancën ku LDK-ja ka pasur mundësinë të vijë dhe të votojë buxhetin për Prishtinën. Të gjithë deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje! kemi qenë të pranishëm, ndërsa LDK-ja ka refuzuar të marrë pjesë. Përparim Rama nuk protestoi kur partia e tij refuzoi ta votojë buxhetin. Mashtruesit nuk kalojnë!”, shkroi Pacolli.

Enver Hasani, i ashpër me Osmanin

Ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese, profesori Enver Hasani, në një intervistë për ATV komentoi zhvillimet politike në vend pas dështimit të dytë të Lëvizjes Vetëvendosje për të formuar qeverinë. Ai u ndal te deklarata e presidentes Vjosa Osmani, e cila tha se, pas mosvotimit të Konjufcës dhe para shpërndarjes së Kuvendit, kishte tentuar “t’i bind edhe një herë deputetët… që të ktheheshin për të votuar buxhetin”.

Hasani kritikoi ashpër këtë qëndrim, duke thënë se një deklaratë e tillë “mund t’i falet zëdhënësit të VV-së, por jo presidentes së Republikës” që është juriste me profesion. Ai shtoi se ishte ndier i turpëruar nga një veprim i tillë.

“Po e shihja, Vjosa thoshte, i luta edhe një herë… me u kthy në Kuvend me e votu buxhetin, ajo mund t’i falet zëdhënësit të VV-së, por jo presidentes së Republikës. Për fat të keq, atë dhe disa kolegë të tjerë kur po i shoh, po turpërohem, që me kaq paskrupullsi e shkelin etikën bazike profesionale”, deklaroi Hasani.