Punëtorët e RTK-së tash e 25 ditë janë pa paga.
Si rezultat, Sindikata ka mbajtur grevë 2-orëshe sot.
Përderisa partitë po ia hedhin fajin njëra-tjetrës se kush ka faj, për U.D drejtorin e RTK-së, Hysen Hundozi, protesta po përdoret për agjenda politike.
Kështu ka lënë të kuptohet Hundozi në një Email që u ka shkuar të gjithë punëtorëve të RTK-së e të cilën e ka siguruar Nacionale.
Të njëjtin postim, Hundozi e ka bërë edhe në rrjete sociale.
“Dëshiroj të shpreh keqardhjen time që çështja e buxhetit të RTK-së nuk u zgjidh përmes themeluesit tonë. Mungesa e vendimmarrjes në Kuvend ka krijuar një situatë të rënduar financiare për Transmetuesin Publik dhe, mbi të gjitha, për punonjësit që tashmë po përballen me vonesa të pagave dhe pasiguri të vazhdueshme. Megjithatë, dua t’i siguroj të gjithë kolegët, partnerët dhe publikun se ne jemi duke punuar intensivisht për të gjetur një zgjidhje sa më të shpejtë dhe të qëndrueshme, ashtu siç kemi bërë edhe tre muaj më parë. Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me institucionet relevante në vend dhe me partnerët tanë, për të siguruar funksionimin normal të Transmetuesit Publik. Në këtë situatë të ndjeshme, bëj apel që RTK të mos përdoret si mjet presioni apo si instrument për agjenda politike. Transmetuesi Publik i përket qytetarëve dhe duhet të mbetet jashtë çdo ndikimi që cenon misionin e tij profesional, të pavarur dhe kushtetues”, ka shkruar ai.
Kjo ka bërë që Sindikata e RTK-së të reagojë ashpër. Ata e kanë dënuar këtë gjuhë të U.D drejtorit me mandat të skaduar, pasi i njëjti ka qëndruar për më shumë se 1 vit si U.D. Fillimisht me vendim të Bordit, e më pas me një rekomandim nga Zyra Ligjore. Por, aktualisht po qëndron pa mandat.
“SPERTK e konsideron të pavend dhe të papranueshme deklarimin e ushtruesit të detyrës së drejtorit të përgjithshëm, i cili e ka cilësuar grevën si “politike”. Greva është tërësisht sindikale, e bazuar në të drejtat themelore të punëtorëve dhe në kushtet e rënda sociale-profesionale me të cilat ata përballen prej muajsh. Për më tepër, nuk është e qartë në çfarë cilësie po i lëshon deklaratat UD-ja, duke krijuar huti te punëtorët dhe opinionit publik. Madje punëtorë asnjëherë nuk janë njoftuar se çfarë hapash janë marrë për ti siguruar mjetet, duke paralajmëruar se do të vijmë në situatë të njëjtë sikur para tre muajve. Pra janë treguar totalisht neglizhent dhe të paaftë si dhe të vetëkënaqur nga: fillimisht dështimi, pastaj kinse zgjidhja”, thuhet në reagim.
Qeveria nuk po pranon t’i alokojë mjetet, përderisa opozita nuk ka pranuar të votojë buxhetin duke vlerësuar se është shkelje e Kushtetutës.











