Presidentja e Kosovës komenton edhe marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur para gazetarëve për zhvillimet e fundit politike në vend, posaçërisht për zgjedhjet e reja parlamentare, të cilat janë planifikuar të mbahen më 28 dhjetor. E pyetur për mundësinë e zvarritjes së mëtejshme të procesit për krijimin e institucioneve, ajo ka theksuar drojën e saj se kjo mund të ndodhë.
“Shqetësim ka sepse nuk është larg koha kur kishim situata të tilla. Por, shpresoj që kjo të ketë qenë një mësim për të gjitha partitë se zvarritja është në dëm të interesave të qytetarëve të Kosovës, dhe sa më parë të kemi, jo vetëm certifikim të rezultateve, por edhe kuvend të konstituuar, menjëherë në ditën e parë, pra të mos presim 30 ditë, dhe pastaj edhe votimin e qeverisë”, ka deklaruar Osmani para gazetarëve në Prishtinë.
Duke komentuar marrëdhëniet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara, shefja e shteti ka vlerësuar se vendi nuk ka pasur dhe nuk do të ketë kurrë qeveri anti-amerikane. Ajo ka konsideruar se çdo qeveri ka strategjitë e veta për të punuar me partnerët, por nuk mund të ketë dallime midis qëndrimit të popullit dhe veprimeve të qeverisë.
“Në Kosovë, nuk ka pasur, as nuk do të ketë asnjëherë qeveri anti-amerikane. Në Kosovë, ka pasur dhe do të ketë edhe në të ardhmen qeveri pro-amerikane, për shkak se e kemi popullin më pro-amerikan në botë. Nuk mund të ketë dallime midis popullit që krijon qeveri dhe qeverisë, përderisa secila qeveri i ka metodat e veta, strategjitë e veta – mënyrën se si punon me partnerët”, ka shtuar mes tjerash Osmani.











