Zelensky: Njohja e territoreve të pushtuara nga Rusia, problemi kryesor në bisedimet e paqes

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, nga ana tjetër, ka lënë të kuptohet se bisedimet e fundjavës në Gjenevë mes Washington-it dhe Kievit mund të kenë sjellë përparim të rëndësishëm.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky foli para Parlamentit suedez, duke theksuar se problemi kryesor në bisedimet për paqen është kërkesa e Vladimir Putin për njohjen ligjore të territoreve që Rusia ka “vjedhur” nga Ukraina.

“Kjo do të thyente parimin e integritetit territorial dhe sovranitetit”, tha Zelensky, duke shtuar se “kufijtë nuk mund të ndryshohen me forcë”.

Ai përfundoi me një mesazh të qartë për komunitetin ndërkombëtar: “Mbani presion mbi Rusinë. Rusia vazhdon të vrasë njerëz”.

Ky është një apell i drejtpërdrejtë për mbështetje të vazhdueshme ndaj Ukrainës dhe respekt për ligjin ndërkombëtar.

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, nga ana tjetër, ka lënë të kuptohet se bisedimet e fundjavës në Gjenevë mes Washington-it dhe Kievit mund të kenë sjellë përparim të rëndësishëm.

Në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale, Trump shkroi se nuk duhet besuar deri sa të ketë prova konkrete, por “diçka e mirë mund të ndodhë”.

“A është vërtet e mundur që po bëhet përparim i madh në bisedimet e paqes midis Rusisë dhe Ukrainës??? Mos e besoni derisa ta shihni, por diçka e mirë mund të jetë duke ndodhur. ZOTI E BEKOFTË AMERIKËN!”, shkruan ai në një postim në Truth Social.

Bisedimet mes delegacioneve kanë hasur në dy pengesa madhore, sipas burimeve të mediave ukrainase: tërheqja e Forcave të Armatosura të Ukrainës nga Donbas-i dhe e ardhmja e anëtarësimit të Kievit në NATO.

Të dyja çështjet janë konsideruar aq të ndjeshme, sa burimet pohojnë se ato tashmë janë ngritur në nivel presidencial.

Presidenti Volodymyr Zelensky dhe Presidenti Donald Trump mund të ulen në tryezë për t’i trajtuar personalisht – potencialisht brenda kësaj jave ose të ardhshme.

Sipas raportimeve, plani i Trump-it parashikon tërheqjen e trupave ukrainase nga Donbas-i, një kërkesë që burimet e përshkruajnë si “ndër pikat më të kontestuara” të draft-marrëveshjes.