Dyshimet për keqpërdorim prej mbi 35 mijë eurosh në tenderin emergjent të KEK – si u dha kontrata më e shtrenjtë brenda vetëm pesë orësh pune

Vetëm pesë orë kohë për ofertim, eliminim i operatorëve me çmimin më të ulët dhe kontratë e nënshkruar me rreth 35 mijë euro më shtrenjtë. Ky është thelbi i procedurës emergjente të KEK-ut për furnizim me Hidroksid Natriumi. Dokumentet e siguruara tregojnë se, brenda një afati minimal dhe me kritere të ngritura papritur, janë eliminuar ofertat më të lira, ndërsa kontrata i është dhënë të njëjtit operator që ka marrë edhe tre kontrata të tjera me negocim përgjatë vitit, shkruan Demokracia.com.

Në datën 13 nëntor 2025, në orën 14:48, tre operatorë ekonomikë të përzgjedhur nga Korporata Energjetike e Kosovës pranuan një e-mail që i ftonte të dorëzonin ofertat e tyre për furnizim me Hidroksid Natriumi, një substancë kimike që konsiderohet kritike për funksionimin e termocentraleve të KEK-ut dhe për ruajtjen e operimit të vazhdueshëm të impianteve të prodhimit.

Procedura për të cilën ata ftoheshin ishte një negocim pa publikim, e cilësuar nga vetë korporata si “ekstreme emergjente”, ndërsa afati për dorëzimin e ofertave ishte vendosur për ditën pasuese, më 14 nëntor, në orën 12:00. Në këtë mënyrë, operatorët, sipas llogarisë ligjore të kohës së efektshme kishin në dispozicion vetëm pesë orë pune brenda orarit zyrtar për të hartuar, mbledhur, skanuar, certifikuar dhe dorëzuar dokumentacionin teknik e financiar, çka për standardet e prokurimit publik konsiderohet si kohë tepër e kufizuar dhe që, në vetvete, ngre dyshime të theksuara për mundësinë e orientimit të procesit drejt një rezultati të parapërcaktuar.

KEK e ka arsyetuar me urgjencë të lartë këtë procedurë, duke pohuar se rezervat e Hidroksid Natriumit në Termocentralin “Kosova A” kishin rënë në nivel kritik, duke vënë në rrezik ndërprerjen e vazhdueshme të prodhimit të energjisë elektrike. Megjithatë, ndërkohë që operatorët u përballën me një afat ekstremisht të ngushtë për të vepruar, rezultoi se kompania me çmimin më të ulët u eliminua nga gara, ndërsa kontrata iu dha ofertuesit me çmim dukshëm më të lartë – rreth 35.750 euro më shumë.

Ftesa për ofertim ishte shoqëruar me dosjen teknike, specifikimet e furnizimit dhe kërkesat dokumentuese, të cilat KEK i kishte përcjellë e-mail vetëm tre kompani të ftuara. Nga koha kur ftesa mbërriti në postën elektronike, deri në momentin e mbylljes së afatit zyrtar të dorëzimit të ofertave, ishin të disponueshme vetëm pesë orë e dymbëdhjetë minuta kohë efektive pune, pasi e-prokurimi mbyllet në orën 16:00 çdo ditë. Ndërkohë, shpallja e rezultatit dhe vendimi për fituesin u publikua po atë ditë, në orën 15:48, vetëm pak minuta para mbylljes së orarit administrativ, duke i lënë vetëm rreth katër orë hapësirë komisionit vlerësues për të hapur, lexuar, shqyrtuar, krahasuar dhe trajtuar tri ofertat e dorëzuara.

Fitues u shpall kompania “Grami”, me një ofertë pas negocimit prej 110,000 euro. Ndërkohë, oferta e kompanisë N.T.SH. “Bizun” ishte 74,250 euro, pra mbi 35 mijë euro më e ulët, ndërsa oferta e kompanisë “Bora Dental” rezultonte 88,750 euro, rreth 21 mijë euro më e ulët se oferta fituese.

Ky zhvillim ka marrë edhe më shumë peshë, për shkak se procedura emergjente nuk ndodhi në mënyrë të rastësishme, por vetëm tri ditë pas publikimit nga KEK të listës së operatorëve të kualifikuar në tenderin e hapur 3-vjeçar për furnizim me të njëjtin produkt, një tender në vlerë të parashikuar 1.564.000 euro, me model kontratë-kornizë, i cili parashikon mini-konkurencë të rregullt ndërmjet operatorëve të kualifikuar. Pas këtij publikimi, KEK ishte zotuar se procedura e furnizimit 36-mujor do të garantonte konkurrencë të hapur, transparencë dhe ulje të çmimit për shkak të konkurrencës.

Megjithatë, në procedurën emergjente që pasoi menjëherë më pas, dy nga tre operatorët tashmë të kualifikuar për tenderin kornizë, “Bizun” dhe “Bora Dental”, u skualifikuan, ndërsa fituesi i vetëm rezultoi “Grami”.

Kjo është pika ku lindin dyshimet serioze.

KEK, në arsyetimin zyrtar të eliminimit, ka deklaruar se “në dosje është kërkuar: 1.3. Deklaratë e prodhuesit që e garanton operatorin me furnizim të NaOH 45-50% sipas standardit EN 896:2012, ndërsa ju keni ofruar një deklaratë nga dileri i autorizuar, por marrëveshja ndërmjet prodhuesit dhe dilerit është për një aktivitet tjetër prokurimi”.

Përtej kësaj, dokumentet tregojnë se në procedurën emergjente, KEK ka vendosur kërkesa më të ashpra sesa në tenderin e hapur, ndonëse objektet e tyre janë identike: furnizim me NaOH sipas standardit EN 896:2012. Në tenderin emergjent, kriteret dokumentuese janë rritur duke kërkuar dorëzimin me ofertë të certifikatave ISO 9001, ISO 14001 dhe ISO 45001, si dhe certifikatën e cilësisë së produktit nga prodhuesi – dokumente të cilat kërkojnë kohë të konsiderueshme për t’u siguruar.

Ndërkohë, në tenderin e hapur 3-vjeçar, operatorët kishin fleksibilitet më të madh, ata mund të paraqisnin autorizim nga prodhuesi ose nga një diler i autorizuar, dhe dokumentet e prodhuesit mund të dorëzoheshin edhe pas fazës së vlerësimit preliminar.

Pra, një procedurë që në fakt duhej të ishte më e thjeshtë dhe më e shpejtë për shkak të urgjencës, në praktikë është bërë më e ngarkuar dhe më kufizuese, brenda vetëm pesë orësh pune efektive. Kjo ka krijuar vështirësi të dukshme për operatorët ekonomikë për të siguruar dokumente të nivelit ISO nga prodhuesit e huaj në një afat kaq të shkurtër.

Në këtë kontekst, nuk mungon as dyshimi i natyrshëm, nëse kriteret janë ashpërsuar pikërisht në mënyrë që një grup operatorësh të eliminoheshin, ndërsa një operator tjetër të kishte më shumë hapësirë manovrimi. Sidomos kur kujtojmë se në tenderin e hapur, ku këto tri kompani ishin vlerësuar të kualifikuara vetëm tri ditë më herët, tani dy prej tyre konsiderohen të papërshtatshme, ndonëse bëhet fjalë për të njëjtin produkt, të njëjtin standard dhe të njëjtin zinxhir furnizimi.

Madje, në një kërkesë për rishqyrtim të bërë në kuadër të tenderit të hapur, kompania “Grami” ka vlerësuar se “Bizun” dhe “Bora Dental” nuk kishin ofertuar konform Dosjes së Tenderit, por KEK ja ka hedhur poshte ankeswn duke i lenë operatorë të përgjegjshem.

Ankesa në OSHP: Kompania pretendon eliminim të padrejtë dhe dëmim të buxhetit publik

Sipas ankesës së dorëzuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit nga kompania N.T.SH. “Bizun”, e cila është eliminuar nga procedura emergjente, ftesa e KEK-ut për dorëzim të ofertës është pranuar në mënyrë të papritur më 13 nëntor, në orën 14:48, ndërsa afati final për dorëzim ishte vetëm një ditë më pas, në ora 12:00, duke krijuar një hendek kohor prej vetëm pesë orësh pune efektive. Në ankesë, kompania nënvizon se kjo ftesë ka ardhur vetëm pak ditë pasi ishte kualifikuar si operator i përgjegjshëm në tenderin 3-vjeçar dhe se KEK kishte ndërkohë të aktivizuar kontratën-kornizë me mini-konkurencë për të njëjtin produkt. Me fjalë të tjera, sipas tyre, procedura emergjente është organizuar paralelisht me një proces tashmë funksional të furnizimit, duke e bërë nevojën e menjëhershme “të pashpjeguar dhe të pajustifikuar në aspekt teknik”.

ankesë theksohet se, ndryshe nga tenderi i hapur, procedura emergjente vendosi kritere dokumentuese më të rrepta, duke kërkuar me ofertë një sërë certifikimesh ISO, deklarime të prodhuesit dhe dokumente shtesë që, sipas operatorit, nuk ishin të kërkuara në tenderin kornizë dhe që për nga natyra e tyre kërkojnë kohë të konsiderueshme për t’u siguruar e jo pesë orë. Sipas operatorit, KEK ka injoruar faktin se furnizuesi i tyre është prodhues ndërkombëtar me standarde të BE-së, duke hedhur poshtë dokumentacion të cilin kompania e konsideron të mjaftueshëm për të vërtetuar cilësinë dhe garancinë e produktit.

Çështja merr peshë ekonomike në momentin kur operatori shpalos edhe pasojën financiare të vendimit: sipas tyre, vendimi i KEK-ut për ta eliminuar ofertën më të ulët i ka shkaktuar buxhetit dëm prej 35.750 euro për një sasi të vetme furnizimi. Në ankesë thuhet se KEK, duke mos vlerësuar me kujdes nenin e parë të Ligjit për Prokurim Publik që ka si objektiv mbrojtjen e parasë publike ka konsumuar fonde të taksapaguesve në mënyrë disproporcionale, duke zgjedhur ofertën më të lartë, ndonëse kishte në tavolinë ofertën më të lirë.

Në përfundim të ankesës, kompania kërkon nga OSHP që procedura të kthehet në rivlerësim të plotë, duke e kualifikuar gjithë procesin si një skemë të improvisuar urgjencash artificiale dhe të motivuar administrativisht, që sipas tyre ka synuar kufizimin e konkurrencës reale dhe orientimin e rezultatit final.

Megjithatë, Demokracia.com ka parë se prokurimi i KEK-ut ka ngarkuar në E-Prokurim “njoftimin për nënshkrimin e kontratës”.

KEK pranon se operatorët kanë pasur vetëm pak orë: “afati është konsideruar i zbatueshëm dhe jo diskriminues”

Ndërkohë, në përgjigjet e siguruara nga Departamenti për Informim i KEK-ut ndaj pyetjeve të adresuara nga Demokracia.com, korporata pranon se afati i vendosur ka qenë jashtëzakonisht i shkurtër, por thekson se ai është konsideruar “i zbatueshëm dhe jo diskriminues”, duke argumentuar se operatorët tashmë dispononin dokumentacion të gatshëm në një proces paralel të prokurimit. KEK këmbëngul se rreziku për ndërprerjen e operimit industrial ishte real, se rezervat e substancës kimike ishin të ulëta dhe se ligji e lejon ndërhyrjen pa publikim në rrethana të tilla.

Më tej, KEK thekson se ka qenë i detyruar të veprojë menjëherë, duke deklaruar se procedura është zhvilluar “në përputhje me nenet përkatëse të LPP-së që lejojnë negocim pa publikim, në rastet kur ekziston rrezik real për vazhdimësinë e punës”.

Për çështjen më të diskutuar publikisht – afatin prej vetëm pesë orësh pune efektive për përgatitjen dhe dorëzimin e ofertave – KEK thotë se afati është përcaktuar për shkak të natyrës së procedurës dhe se “operatorët ekonomikë tashmë kishin dokumentacionin e plotë të përgatitur në procedurën paralele për kontratë-kornizë, prandaj afati konsiderohet i zbatueshëm dhe jo diskriminues. “Procedura e negocimit pa publikim ka natyrëekstreme emergjente, prandaj edhe afati për dorëzim të ofertave ka qenë i shkurtuar, në përputhje me dispozitat për rastet e jashtëzakonshme. Operatorët janë ftuar më datë 13.11.2025, dhe ofertat, sipas kërkesave emergjente, është dashur të dorëzohen përmes platformës së e-Prokurimit më14.11.2025. KEK ka vepruar në përputhje me LPP-në, e cila lejon shkurtimin e afateve vetëm në rastet kur ekziston rrezik real dhe i menjëhershëm për ndërprerjen e aktivitetit publik. Duke qenë se operatorët ekonomikë tashmë kishin qenë të kualifikuar në procesin paralel dhe kishin dokumentacionin e plotë të përgatitur, afati është konsideruar i zbatueshëm dhe jo diskriminues”, thuhet në përgjigjen e zyrës për informim të KEK për Demorkacia.com.

KEK këmbëngul se kriteret teknike janë vendosur ekskluzivisht nga njësia profesionale e brendshme. Në përgjigjen e tyre thonë se specifikimet janë përcaktuar nga “Njësia Kërkuese, e përbërë nga profesionistë të kimisë teknologjike dhe operimit të termocentraleve”, duke shtuar se ndryshimet dokumentuese në krahasim me tenderin e hapur janë bërë në funksion të situatës emergjente. “Specifikimet teknike hartohen nga Njësia Kërkuese, e cila përbëhet nga profesionistë të fushës së kimisë teknologjike dhe operimit të termocentraleve. Këto specifikime reflektojnë nevojat operative të momentit dhe sigurojnë që furnizimi të jetë në përputhje me kërkesat e standardit EN 896:2012. Ndryshimet eventuale në kriteret dokumentuese kanë qenë rezultat i vlerësimeve teknike të Njësisë Kërkuese në funksion të situatës emergjente, duke siguruar që produkti i furnizuar të garantojë cilësi, siguri dhe kompatibilitet maksimal me proceset aktuale teknologjike”, thuhet tutje në përgjigjen e korporatës.

Në përgjigjen zyrtare për Demokracia.com, zyra për informim e KEK-ut është shprehur se, në lidhje me pretendimin për eliminimin e një operatori dhe ndikimin financiar në çmim, “në tenderin e hapur për kontratë-kornizë (36 muaj) janë kualifikuar gjashtë operatorë ekonomikë, ndërsa çmimet nuk janë hapur, pasi procedura parasheh realizimin e furnizimit përmes mini-konkurencës”.

Sipas KEK-ut, çmimet që janë marrë në procedurën emergjente “nuk mund të krahasohen me ato të tenderit të hapur”, meqë, siç thuhet në përgjigje, “tenderi i hapur nuk ka hapur ende ofertat financiare” dhe “procedurat kanë natyrë të ndryshme ligjore (mini-konkurencë përkundrejt procedurës emergjente)”.

Në përgjigje, KEK nënvizon se korporata ka “parim bazë ‘Vlerë për para’”, duke theksuar se synimi është që “çdo kontratë të jetë ekonomike dhe transparente”.

Për ta ilustruar këtë pretendim, KEK thotë se “çmimi i berzës më datë 14.11.2025 ka qenë 340 €/ton”, ndërsa “oferta më e ulët në procedurën emergjente ka qenë 297 €/ton”, që sipas tyre është “dukshëm nën nivelin e tregut”.

Ndërkohë, tenderi 3-vjeçar mbetet i bllokuar

KEK-u, më 26 shtator 2025, ka bërë njoftim për kontratë me procedurë të hapur – mini-tender të vlerës së madhe për “Furnizim me Hidroksid Natriumi”, me kohëzgjatje 36-mujore, si kontratë publike kornizë me disa operatorë, me vlerë të parashikuar prej 1,564,000.00 euro.

Më 17 tetor, prokurimi i korporatës ka hapur ofertat, nga ku kanë rezultuar 13 pjesëmarrës në garë.

Më datë 11 nëntor 2025, KEK-u ka bërë “Njoftim mbi vendimin e Autoritetit Kontraktues”, duke shpallur rezultatin final. Nga dokumentet rezulton se për të vazhduar me ftesë për mini-tender me kontratë janë përzgjedhur kompanitë N.T.SH. “Bizun”, Bora Dental SH.P.K., Grami SH.P.K., ASET SH.P.K., Stars Invest L.L.C., dhe grupi i operatorëve ekonomik “Liridona Kaçiu B.I. – N.P.T A-Com”. Operatorët e tjerë janë skualifikuar për arsye të ndryshme.

Më pas, korporata ka pranuar disa kërkesa për rishqyrtim (ankesa), dhe më datë 17 nëntor ka pezulluar aktivitetin e prokurimit për t’i shqyrtuar ato. Ankesat janë parashtruar si nga kompanitë e kualifikuara me pretendimin se disa konkurrentë nuk i plotësonin kërkesat, ashtu edhe nga kompanitë e eliminuara, të cilat pretendojnë se i kanë plotësuar kushtet për të cilat janë përjashtuar. Të gjitha ankesat janë hedhur poshtë si të pabazuara nga Autoriteti Kontraktues, duke lënë në fuqi vendimin e datës 11 nëntor.

Deri më natën e 21 nëntorit, në orën 16:00, asnjë prej operatorëve nuk është ankuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit. Megjithatë, sipas afateve të LPP-së, ata kanë të drejtë të paraqesin ankesë edhe të hënën.

A po favorizohet kompania “Grami”?

Në një dimension tjetër të çështjes, vlen të theksohet se kjo nuk është kontrata e parë emergjente e lidhur nga KEK me kompaninë “Grami”. Dokumentet tregojnë se gjatë vitit aktual janë lidhur të paktën tre kontrata të tilla, në të gjitha rastet për furnizim me NaOH, dhe në të gjitha rastet me të njëjtën kompani.

Kontrata e fundit ishte nënshkruar në gusht 2025, për 161,000 euro, ku në procedurë kishte qenë i ftuar vetëm operatori fitues. Para saj, në qershor 2025, KEK kishte kontraktuar për 138,000 euro sërish të njëjtën kompani për të njëjtin produkt. Dhe më herët, gjatë prillit 2024, po ashtu, procedura e negocimit emergjent kishte përfunduar me të njëjtën kompanie furnizuese.

Në këtë mënyrë, ndërsa tenderi i madh trevjeçar vazhdon të jetë i pezulluar për më shumë se katër muaj, furnizimi real i KEK-ut me këtë substancë jetike ka vijuar pothuajse ekskluzivisht përmes negocimeve emergjente me një operator të vetëm.

Këto elemente të kombinuara, afati jashtëzakonisht i shkurtuar prej pesë orësh pune, eliminimi i dy operatorëve më të lirë, ngritja e menjëhershme e kritereve dokumentuese, si dhe historia e vazhdueshme e kontraktimit emergjent me të njëjtën kompani krijojnë një tablo që ngre dyshime lidhur me mënyrën se si është menaxhuar procesi nga prokurimi i KEK-ut. Sidomos në një rast kur kompania që kishte paraqitur ofertën më të ulët rezulton të jetë eliminuar në procedurën emergjente, ndonëse vetëm tri ditë më herët ishte vlerësuar si operator i përgjegjshëm nga i njëjti autoritet.

Sipas Ligjit për Prokurim Publik, Autoriteti Kontraktues ka përgjegjësi të dyfishtë të sigurojë furnizim dhe të mbrojë buxhetin. /Demokracia.com- M.B/