Familjet në nevojë në Prishtinë po presin gati 11 muaj për ndihmat ligjore, reagimi nga Drejtoresha e Mirëqenies Sociale

Familjet më të ndjeshme në kryeqytet kanë hyrë në muajin e 11-të të pritjes për të marrë ndihmën sociale që u takon me ligj. Lajmin e ka bërë të ditur drejtoresha e Mirëqenies Sociale në Komunën e Prishtinës, Adelinë Sahiti, e cila përmes një reagimi publik ka thënë se një numër i madh qytetarësh po mbeten të pambështetur, ndonëse ndihma e tyre është e garantuar me legjislacion.

Sahiti ka bërë të ditur se vonesat po prekin familjet e skemës sociale, viktimat e dhunës, nënat lehona në kushte të vështira ekonomike, fëmijët me aftësi të kufizuara, familjet strehuese, si dhe dhjetëra organizata që ofrojnë shërbime direkte për kategori të ndjeshme të qytetarëve.

Ajo e ka cilësuar situatën si “absurde dhe të turpshme”, duke akuzuar Qeverinë për neglizhencë në trajtimin e këtyre kategorive.

“Gjithçka është kthyer në absurditet. E turpshme kjo qasje e Qeverisë. E turpshme”, ka shkruar Sahiti.

Drejtoresha ka thënë se bashkë me punëtorët e Trafikut Urban, të cilët po ashtu po protestojnë për kërkesat e tyre, do të vazhdojë të jetë pranë secilit qytetar që po kërkon të drejtën e vet. /Demokracia.com/