ZRrE e KOSTT tejkaluan një rregullore për KESCO-n, i mundësuan vonesa në pagesat për Fondin e BRE-ve deri në 221 ditë

ZRrE e KOSTT vepruan me dy standarde në zbatimin e një rregulloreje që mbron të drejtat e prodhuesve/furnizuesve dhe konsumatorëve të rrymës. Asnjëra nga këto institucione nuk zbatuan kriterin e garancionit bankar për KESCO-n, duke i mundësuar kësaj të fundit vonesa në pagesa deri në 221 ditë për Fondin e BRE-ve.

Rregullat e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) dhe ato të Operatorit të  Sistemit dhe Transmisionit (KOSTT) nuk vlejnë  njëjtë si për prodhuesit e furnizuesit e energjisë  elektrike, si për konsumatorët e rrymës. Kur janë në pyetje të drejtat e konsumatorëve, rregulloret ka raste kur nuk zbatohen fare, ose edhe tejkalohen krejtësisht. Por, situatë tjetër është kur në pyetje janë të drejtat e prodhuesve e furnizuesve me energji elektrike.

Në rastin e jo balancave të shkaktuara nga prodhuesit e energjisë së ripërtëritshme, ZRrE favorizoi prodhuesit duke ua ulur pragun nga 25% në 5%, ndërsa KOSTT dështoi në menaxhim, mirëpo në një rast tjetër ku në pyetje ishte KESCO, këto dy institucione përdorën standarde tjera.

Në kundërshtim me Rregulloren për Skemën Mbështetëse, këto dy institucione për 7 vite rresht nuk zbatuan kriterin e garancionit bankar për KESCO-n, sa i përket pagesave që kjo e fundit kryen për KOSTT-in. KESCO nuk ka lënë garancion bankar që nga viti 2017 prej kur është themeluar Fondi i Burimeve të Ripërtëritshme të Energjisë (BRE).

KESCO është blerësi më i madh i energjisë elektrike që prodhohet nga burimet e ripërtëritshme me mbi 90 për qind nga totali. Këtë energji e blenë fillimisht KOSTT te prodhuesit e BRE-ve dhe e shet pastaj te KESCO.

Me Rregulloren për Skemën Mbështetëse, parashihet zbatimi i garancionit bankar për prodhuesit e furnizuesit, si mekanizëm për kryerjen e pagesave në bazë të afateve.

“Afati që aplikohet është deri në 30 ditë pasi ka ndodhur shitblerja e energjisë elektrike”, vlerëson Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA).

Mirëpo, nga viti 2017 deri në vitin 2024, KOSTT nuk e kishte kërkuar nga KESCO këtë garancion, e cila e shfrytëzoi këtë hapësirë duke i vonuar pagesat për energjinë e BRE-ve deri në 221 ditë. Garancioni bankar parashihet me rregullore për të pamundësuar vonesat e prodhuesve e furnizuesve ndaj KOSTT-it për energjinë e BRE-ve.

Sipas Auditorit, në raste kjo kishte rrezikuar edhe likuiditetin e Fondit të BRE-ve duke e detyruar KOSTT-in që të huazojë mjete nga linja tjera për t’i kryer obligimet ndaj prodhuesve të BRE-ve.

Prodhuesit e energjisë së ripërtëritshme në Kosovë, që janë pjesë e skemës mbështetëse, e kanë të garantuar shitjen me çmim të favorshëm në KOSTT. Kjo e fundit, këtë energji e shet te KESCO si furnizuesi më i madh i energjisë elektrike.

Auditori, gjatë auditimit të Fondit të BRE-ve për periudhën 2022-2024, gjeti se KOSTT është e rregullt me pagesa ndaj prodhuesve të BRE-ve, për energjinë që e blenë prej tyre.

Por jo edhe KESCO ndaj KOSTT-it.

“KESCO në rolin e furnizuesit më të madh të energjisë nga burimet e ripërtërishme, nëpërmjet të cilit realizohen 92% e të hyrave nga shitja dhe tarifa e kësaj energjisë, nuk kishte respektuar asnjëherë afatin prej 30 ditëve për kryerjen e obligimeve ndaj Fondit, sikurse e ka të përcaktuar në kontratën që ka me KOSTT”, thuhet në raportin e ZKA për BRE-të.

Auditori gjeti se KESCO kishte vonuar pagesat deri në 211 ditë, ndërsa vonesat mesatare të këtij furnizuesi ishin 143 ditë. Sipas Auditorit, KESCO nuk kishte paguar faturat për energjinë e ripërtëritshme ndaj KOSTT që nga muaji tetor i vitit 2024.

“Këto fatura kapin vlerën prej 6.8 milion Euro, përkundër që kishin kaluar mbi 4 muaj nga faturimi dhe ato ende ishin të papaguara”.

Përveç KESCO-s, edhe prodhuesit të cilët kanë obligime ndaj Fondit për jo balancat e shkaktuara, kishin vonesa në realizimin e pagesave ndaj KOSTT.

“Kishte rast kur vonesat maksimale nga prodhuesit e energjisë së ripërtërishme arrijnë deri në 292 ditë.”

Borxhi i KESCO-s ndaj KOSTT-it rreth 14 milionë euro

Në total, borxhi i KESCO-s ndaj KOSTT-it ka arritur në rreth 14 milionë euro. Këtu hyn borxhi për tarifa për shërbimet e transmisionit, përfshirë faturimin deri më 30 shtator 2025, si dhe borxhi për menaxhimin e llogarisë balancuese-devijimeve.

Nga KESCO, deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, nuk janë përgjigjur lidhur me arsyet që mund t’i kenë si kompani për vonesat në pagesa ndaj KOSTT-it.

Ndërsa në KOSTT thonë se ky borxh është krijuar si rezultat i vonesave të vazhdueshme në pagesa nga ana e KESCO-s.

“Sipas deklarimeve të saj formale, është përballur me rritje të ndjeshme të kostos së importit të energjisë elektrike me çmime më të larta se tarifat e miratuara, duke shkaktuar mungesë likuiditeti për përmbushjen me kohë të detyrimeve ndaj KOSTT-it”.

“KOSTT sh.a. monitoron rregullisht gjendjen e inkasimit dhe ka ndërmarrë përpjekje të shumta për ta adresuar këtë situatë, përfshirë takime bilaterale javore me KESCO/KEDS dhe dërgimin e kërkesave zyrtare për pagesë, duke paralajmëruar edhe mundësinë e inicimit të procedurave përmbarimore për detyrimet e prapambetura”, thuhet në përgjigjet e KOSTT.

KOSTT hedh fajin te ZRrE, ZRrE te KOSTT

Sa i përket garancionit bankar, ZRrE e KOSTT kanë  hedhur fajin te njëra-tjetra, për moszbatimin e këtij detyrimi ligjor ndaj prodhuesve e furnizuesve. Auditori në  raport thekson sidomos mungesën e garancionit ndaj KESCO-s, si blerësi më i madh i energjisë së ripërtëritshme.

Auditorët kërkuan përgjegjësi nga KOSTT dhe ZRrE për mungesën e garancionit bankar. Nga viti 2017 deri në vitin 2024, KOSTT nuk kishte reaguar asnjëherë për zbatimin e rregullores sa i përket garancionit bankar.

“Procesin për sigurimin e garancionit financiar me këtë furnizues KOSTT e ka inicuar në shtator të vitit 2024, por KESCO nuk janë përgjigjur asnjëherë ndaj kësaj kërkese të KOSTT”, vlerëson ZKA.

Në mars të vitit 2025, KOSTT e dërgoi një shkresë në ZRrE duke e paralajmëruar se KESCO nuk ishte përgjigjur rreth garancionit. ZRrE në bazë të rregullativës ligjore është i vetmi institucion që  mund të marrë  masa ndaj subjekteve në sektorin e energjisë.

Por, ZRrE nuk ishte përgjigjur fare në kërkesën e KOSTT. Në një përgjigje për Buletinin Ekonomik, nga KOSTT thonë se ka pasur një miratim verbal nga ZRrE që procedura e garancionit të mos zbatohej, pasi zbatimi i saj do ta rriste koston për konsumatorët përmes rritjes së tarifave.

“Procedura ka paraparë vlera shumë të larta të garancionit financiar, duke e bërë atë praktikisht të pazbatueshme. Asnjë bankë në Kosovë nuk i ka plotësuar kushtet e kërkuara në Procedurën e Garancionit Financiar. Për arsyet e mësipërme është inicuar ndryshimi i Procedurës së vjetër, ndërsa procedura e re ka filluar të zbatohet nga shtatori 2025”, thuhet në përgjigjet e KOSTT.

Mirëpo, një version tjetër, kanë dhënë zyrtarët e ZRrE-së kur janë pyetur nga auditorët për këtë çështje.

“ZRRE deri më tani nuk ka ndërmarrë asnjë veprim lidhur me këtë çështje pasi që sipas tyre të gjitha palët janë të detyruar të përmbushin përgjegjësitë e tyre në përputhje me Rregullat e Tregut”, citon ZKA përgjigjen e ZRRE, duke lënë të kupotohet se sipas ZRRE përgjegjësia e garancionit bie mbi KOSTT./Buletini Ekonomik/