Palët bien dakord për respektimin e sovranitetit në dokumentin e ri kornizë.
Në takimin e zhvilluar në Gjenevë mes përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara dhe Ukrainës, palët arritën të hartojnë një dokument të përditësuar kornizë për marrëveshjen e paqes, duke sinjalizuar një fazë të re në përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit.
Sipas Zyrës së Presidentit të Ukrainës, diskutimet ishin “konstruktive, të fokusuara dhe me respekt të ndërsjellë”, duke theksuar angazhimin e përbashkët për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme.
Delegacionet deklaruan se bisedimet shënuan përparim të prekshëm në dakordësimin e pozicioneve dhe në identifikimin e hapave të mëtejshëm.
Të dyja palët konfirmuan se çfarëdo marrëveshjeje e ardhshme duhet të respektojë plotësisht sovranitetin e Ukrainës dhe të garantojë paqe afatgjatë, duke reflektuar prioritetet shtetërore të Kievit.
Pas konsultimeve, u përgatit një version i rishikuar i dokumentit udhëzues, i cili pritet t’i nënshtrohet analizave të fundit ditët në vijim. Vendimet përfundimtare do të merren nga presidentët Volodymyr Zelensky dhe Donald Trump.
Delegacioni ukrainas shprehu mirënjohjen ndaj SHBA-ve dhe veçanërisht ndaj presidentit Trump për “angazhimin e palëkundur dhe përpjekjet e pandërprera për t’i dhënë fund luftës dhe për të shpëtuar jetë njerëzish”.
Palët konfirmuan se puna teknike mbi propozimet do të vazhdojë, ndërkohë që do të ruhet komunikimi i afërt me partnerët evropianë.
Zelensky deklaroi më herët se një numër elementësh të propozuar nga pala amerikane mund të integrohen në dokument, pasi janë në harmoni me vizionin ukrainas dhe interesat kombëtare.
Në sfond të procesit, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania dhe Franca kanë paraqitur kundërpropozime ndaj planit amerikan prej 28 pikash, që përfshijnë ndër të tjera kufizimin e forcave të armatosura ukrainase në 800 mijë trupa dhe nisjen e negociatave nga linja aktuale e kontaktit.











