Prokuroria në Mitrovicë i ka çuar në ekzaminim dy telefona të shtetasit Milan Vukashinoviq, që u plagos dhe u rrëmbye në territorin e Kosovës. Autoritetet kanë akuzuar Serbinë për këtë rast, e Bashkimi Evropian ka shprehur qëndrimin se “autoritetet mund ta vënë në funksion mekanizmin e Ndihmës së Ndërsjellë Juridike që lehtësohet nga BE-ja në Kosovë”. Institucionet e Serbisë vazhdojnë të heshtin, përfshirë edhe Klinikën në Nish ku po trajtohet Vukashinoviq.
Bashkimi Evropian (BE) i ka sugjeruar Kosovës të kërkojë bashkëpunim ndërkombëtar për hetimin e tentimvrasjes dhe rrëmbimit të Milan Vukashinoviqit më 1 nëntor në Jellakcë të Leposaviqit.
Në një përgjigje për KOHËN, zëdhënësi i Zyrës së BE-së në Prishtinë, Nikola Gaon, ka thënë se “autoritetet mund ta vënë në funksion mekanizmin e Ndihmës së Ndërsjellë Juridike që lehtësohet nga BE-ja në Kosovë”.
E në misionin evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX ka shprehur gatishmërinë të ndërmjetësojë në shkëmbimin e informatave me Ministrinë e Brendshme të Serbisë.
“EULEX-i po ashtu është i gatshëm që ta mbështesë hetimin duke shkëmbyer informacionet policore mes Policisë së Kosovës, Interpolit, Europolit, dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, në qoftë se një asistencë e tillë i kërkohet nga institucionet relevante të Kosovës që e kanë përgjegjësinë që ta hetojnë rastin në mënyrë efikase dhe të paanshme”, thuhet në përgjigjen e EULEX-it, raporton koha.net.
Në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë nuk kanë treguar nëse është parashtruar një kërkesë e këtillë, por kanë bërë të ditur se kanë ndërmarrë disa hapa për zbardhjen e rastit.
“Deri tash janë intervistuar nëna dhe një person tjetër i afërm me viktimën. Janë gjetur dy (2) telefona të viktimës, një në shtëpi dhe tjetri në veturën e tij, dhe të njëjtit janë dërguar për ekzaminim”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.
Kryeprokurori i Shtetit në Serbi e as dy prokuroritë në Prokuple nuk janë përgjigjur në pyetjet e KOHËS nëse po e hetojnë tentimvrasjen dhe rrëmbimin e Vukashinoviqit.
Përgjigje në pyetjen se pse nuk u është lejuar familjarëve ta vizitojnë atë, nuk kanë dhënë as në Qendrën Klinike në Nish, ku po trajtohet Vukashinoviqi.
Avokati i Popullit në Serbi, institucion që në këtë vend njihet si Mbrojtësi i Qytetarëve, nuk ka shprehur interesim për rastin. Në një përgjigje për KOHËN, udhëheqësi i këtij institucioni, Zoran Pashaliq, është arsyetuar se familja e as avokati i Vukashinoviqit nuk kanë bërë kërkesë për ta vizituar atë në spital.
“Institucioni i Mbrojtësit të Qytetarëve viziton këdo që personalisht ose nëpërmjet të afërmve, miqve ose përfaqësuesve të tyre shpreh nevojën për të vizituar një person të privuar nga liria. Deri më sot unë nuk kam marrë një informacion të tillë”, thuhet në një përgjigje të shkruar të Pashaliq.
Por avokati i familjes së Vukashinoviqit, Ivan Niniq, nuk pajtohet me këtë konstatim. Sipas tij, Mbrojtësi i Qytetarëve në Serbi e ka për obligim të interesohet në bazë të detyrës zyrtare.
“Vukashinoviq e ka ende plumbin në shpinë. Nënës nuk iu mundësua vizita shkaku i gjendjes shëndetësore të Milanit. Ne nuk kemi kërkuar mbrojtje dhe mbështetje nga Ombudspersoni, meqë ai e ka për obligim, në bazë të detyrës zyrtare që të reagojë në mënyrë proaktive dhe ta intervistojë atë”, ka thënë Niniq.











