Trafiku Urban ka dalë me një reagim pasi kryetari i Prishtinës Përparim Rama njoftoi se për shkak të bllokimit të buxhetit transporti ndalet nesër.
Trafiku Urban thotë se prej nesër do të ndërpriten të gjitha linjat.
“Gjatë ditëve të fundit jeni njoftuar për vështirësitë financiare me të cilat po përballet ndërmarrja. Si pasojë e këtyre vështirësive dhe mungesës së karburanteve, përkundër vullnetit tonë, jemi të detyruar të ndërpresim qarkullimin e të gjitha linjave të Trafikut Urban, duke filluar nga e hëna, 24.11.2025.”
Trafiku Urban shton se qarkullimi do të rifillojë pas lëshimit të mjeteve nga Ministria e Financave.
“Shprehim keqardhjen tonë të sinqertë për pasojat që kjo ndërprerje do t’ju shkaktojë. Qarkullimi do të rifillojë menjëherë pas lëshimit të mjeteve nga Ministria e Financave, të cilat i mundësojnë Komunës së Prishtinës të shlyejë obligimet e saj financiare ndaj ndërmarrjes.”
“Dëshirojmë të sqarojmë se ndërmarrja ka bilanc pozitiv dhe stabilitet financiar; megjithatë, vonesat e Komunës së Prishtinës në shlyerjen e obligimeve ndaj nesh kanë krijuar këtë situatë të paqëndrueshme.
“Edhe një herë, u kërkojmë ndjesë qytetarëve për ndërprerjen e shërbimit të transportit publik, i cili do të mbetet i pezulluar deri në lëshimin e mjeteve.”











