gjendja Dy minatorë të Trepçës pësojnë lëndime në vendin e punës, kjo është gjendja e tyre

Dy minatorë të Trepçës kanë pësuar lëndime në vendin e punës mbrëmjen e së shtunës.

Bëhet fjalë për Elson Rrustemin dhe Përparim Beqirin, të cilët kanë marrë lëndime në sy si pasojë e pluhurit që është shpërndarë gjatë fryerjes së një gome.

Lidhur me rastin, ndërmarrja Trepça ka dhënë detaje përmes një njoftimi në Facebook, ku bëhet e ditur se punëtorëve fillimisht u është ofruar ndihma e parë në vendngjarje, ndërsa më pas janë dërguar në Spitalin Rajonal të Mitrovicës.

“Pas trajtimit mjekësor janë liruar në shtëpi”, thuhet në njoftim.

Tutje, Trepça bën me dije se me të marrë informacionin për lëndimin e punëtorëve zyrtarisht e ka njoftuar inspektoratin e Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM).

“Po ashtu, është formuar Komisioni i Brendshëm i Trepça Sh.A., i cili ka shkuar në vendin e ngjarjes për të bërë vlerësimin e situatës dhe është në përgatitje të raportit zyrtar”, thuhet ndër të tjera në njoftim, transmeton Klankosova.tv.

“Trepça Sh.A. është e përkushtuar në mënyrë të vazhdueshme për të garantuar një ambient pune të sigurt, duke ndërmarrë masa parandaluese, duke zbatuar standardet ligjore për sigurinë dhe shëndetin në punë, si dhe duke investuar në trajnimin e punëtorëve me qëllim që të minimizohen rreziqet dhe të parandalohen lëndimet në vendin e punës”.