‘Armëpushim’ në Zyrën Ovale, çfarë ndryshoi mes Trump dhe Mamdanit

Dy figurat politike u shfaqën në harmoni, duke vënë fokusin tek kriza e përballueshmërisë në New York.

Presidenti amerikan Donald Trump u takua në Shtëpinë e Bardhë me kryetarin e sapozgjedhur të New Yorkut, Zohran Mamdani, në një takim që ishte cilësuar si përballja politike e vitit – por që përfundoi duke u kthyer në një festë komplimentesh.

Në fjalimin e fitores, kryebashkiaku që e quan veten socialist demokrat e kishte quajtur Trump-in “despot”.

Dhe para takimit të së premtes, zëdhënësja e presidentit e kishte përshkruar vizitën e Mamdanit si “një komunist që shkon në Shtëpinë e Bardhë”.

Por, duke qëndruar krah për krah në Zyrën Ovale, të dy burrat treguan një ton befasueshëm pajtues.

Përsëri e përsëri, të dy theksuan interesin e përbashkët për të adresuar krizën e përballueshmërisë së jetesës në New York. Ata buzëqeshën shpesh, dhe Trump madje dukej i argëtuar teksa gazetarët e pyesnin për sulmet politike që Mamdani kishte drejtuar kundër tij.

Toni i takimit i befasoi shumë vëzhgues politikë, por la të kuptohej se të dy e dinë që adresimi i krizës së kostos së jetesës është kritik për suksesin e tyre politik.

Nëse ky “armëpushim” do të zgjasë pasi Mamdani të marrë detyrën më 1 janar, mbetet për t’u parë.

Deri atëherë, “Do të brohoras për të”, tha Trump.

Trump plot lëvdata

Marrëdhënia e mirë mes tyre u duk që në fillim kur nisën të flisnin për gazetarët.

Pas një takimi privat, Mamdani qëndroi në të djathtë të Trump me duart e kryqëzuara, ndërsa presidenti ishte ulur pas tavolinës Resolute. Gjuha e trupit ishte e relaksuar – sidomos e Trump-it.

Jo vetëm që Trump u përmbajt nga sulmet, por madje e lavdëroi disa herë.

Presidenti u shpreh se shpresonte që Mamdani të ishte “një kryebashkiak vërtet i shkëlqyer”.

Më vonë shtoi se ishte “i bindur që ai mund të bëjë një punë shumë të mirë”.

Anashkalimi i pyetjeve për xhihad dhe fashizëm

Të dy buzëqeshën gjatë gjithë takimit.

Një gazetar u kujtoi se Trump e kishte quajtur Mamdanin “komunist”, ndërsa Mamdani e kishte quajtur presidentin “despot”.

Të dy shmangën përgjigjet për deklaratat e vjetra dhe u kthyen te lavdërimet.

Trump madje e lejoi Mamdanin t’i përgjigjej pyetjes nëse mendonte se Presidenti ishte “fashist”.

“Është në rregull, thjesht thuaj po”, ndërhyri Trump me shaka, duke e prekur lehtë në krah dhe duke qeshur. “Është më e lehtë se sa të shpjegosh.”

Kritika më e afërt që Trump i bëri politikës së Mamdanit ishte: “Ai ka pikëpamje paksa të çuditshme.”

Trump gjithashtu hodhi poshtë një pyetje që citonte një aleate të tij, kongresmenen republikane Elise Stefanik, e cila e kishte quajtur Mamdanin “xhihadist”.

“Jo, nuk mendoj kështu”, u përgjigj Trump menjëherë.

“Gjatë fushatës ndodh të thuash gjëra të tilla”, tha ai për Stefanik. “Ajo është shumë e aftë”.

Lidhja përmes rrënjëve në New York

Mamdani dhe Trump kanë një të përbashkët: të dy janë nga New Yorku dhe të dy e kanë quajtur shtëpi rrethin e Queens.

Trump është rritur në Jamaica Estates; Mamdani jeton në Astoria.

Mamdani tha se të dy ndanin një “admirim dhe dashuri të përbashkët” për qytetin.

Edhe pse Trump rrallë shpenzon kohë në kullën e tij në Manhattan, ai foli me nostalgji gjatë konferencës.

“Ky qytet mund të jetë i jashtëzakonshëm – nëse ai del një sukses spektakolar, do të jem shumë i lumtur”, tha ai.

Në një moment, Trump tha se në një jetë tjetër politike, ai vetë do të kishte dëshiruar të ishte kryebashkiak i New Yorkut.

Fokus tek përballueshmëria

Arsyeja e tonit pajtues mund të jetë fakti se të dy kanë vendosur fokus të fortë tek kostot e jetesës.

Trump fitoi rizgjedhjen vitin e kaluar duke theksuar inflacionin e lartë. Votuesit janë të lodhur nga çmimet e ushqimeve, banesave dhe nevojave bazë, dhe Trump ka tentuar të japë mesazhin e stabilitetit ekonomik.

Gjatë fushatës në Nju Jork, Mamdani u fokusua te mungesa e banesave të përballueshme dhe propozoi ngrirjen e rritjes së qirave për apartamentet e stabilizuara me qira.

Mamdani tha se ai dhe Trump diskutuan mënyra për të “ofruar përballueshmëri për njujorkezët”.

Sa herë i bëhej një pyetje për dallimet e tyre politike, Mamdani e kthente bisedën tek ky problem.

Madje edhe për pyetjet mbi Lindjen e Mesme, Mamdani tha se votues të Trump i kishin thënë se donin “fundin e luftërave të pafundme” dhe zgjidhjen e krizës së kostos së jetesës.

Edhe për rendin publik dhe emigracionin duket se gjetën gjuhë të përbashkët. Ata diskutuan operacionet federale të emigracionit në qytet dhe Mamdani ngriti shqetësimet e banorëve.

Por Trump tha se kishin folur më shumë për krimin.

“Ai nuk do të shohë krim dhe unë nuk dua të shoh krim”, tha Trump. Ai shtoi se kishte “shumë pak dyshime” se do të merreshin vesh.

Madje Trump tha se do të ndihej i sigurt duke jetuar në një Nju Jork të drejtuar nga Mamdani.

Një ndërlikim për strategjinë republikane?

Marrëdhëniet e mira të së premtes mund ta komplikojnë përpjekjen e republikanëve për ta përdorur socialistin demokrat si gogol në zgjedhjet afatmesme të 2026-ës.

Në zgjedhjet e këtij muaji, republikanët patën rezultate të dobëta, ndërsa demokratët fituan zgjedhje të rëndësishme.

Republikanët kishin plane për ta bërë Mamdanin fytyrën e Partisë Demokratike, duke e paraqitur si anti-polic, anti-kapitalizëm dhe anti-Izrael.

Por atmosfera miqësore në Zyrën Ovale mund ta dëmtojë këtë strategji.

Ndërsa lavdëronte Mamdanin, Trump tha se besonte që kryebashkiaku i ri do t’i “befasonte disa konservatorë”.

Marrë nga BBC, përshtatur për Albanian Post