Donald Trump i bëri dhuratë të jashtëzakonshme CR7 në “Shtëpinë e Bardhë”, është për shumë pak njerëz

Cristiano Ronaldo u nderua në çdo mënyrë të mundshme nga Donald Trump gjatë vizitës së tij në “Shtëpinë e Bardhë”, me rastin e darkës shtetërore të organizuar nga presidenti amerikan për ta pritur, dhe kontribuar në rehabilitimin para botës, princin e kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman. Ronaldo ishte në Uashington, së bashku me partneren Georgina Rodriguez.

Trump i dhuroi Ronaldos buzëqeshje dhe foto për t’i shfrytëzuar në rrjetet e tij sociale shumë fitimprurëse, por nuk u mjaftua me kaq. Kreu i SHBA i bëri edhe një dhuratë të jashtëzakonshme, të rezervuar për shumë pak njerëz, çelësin e artë të “Shtëpisë së Bardhë”.

Ishte hera e parë që Ronaldo shfaqej publikisht në SHBA, pas akuzës për përdhunim të ngritur ndaj tij nga Kathryn Mayorga. Një akuzë që ylli portugez e kishte mohuar me forcë dhe që më pas u pushua për mungesë provash. Trump e priti krahëhapur, duke i rezervuar një trajtim “ad personam” si të ishte një kryetar shteti. Përveçse e citoi në fjalimin e tij para të gjithëve, duke kujtuar se djali i tij Barron është “një tifoz i madh i tij”, presidenti amerikan e priti Ronaldon edhe në Zyrën Ovale, natyrisht së bashku me Georginën.

Pikërisht aty i dorëzoi dhuratën aq të çmuar dhe ekskluzive. Çelësi i artë i “Shtëpisë së Bardhë” është një nderim personal i Trumpit (i krijuar prej tij), jo traditë institucionale për presidentët amerikanë.

Përveç Ronaldos, personazhet e tjerë që e kanë marrë këtë çelës në të kaluarën janë aleati i vjetër i Trumpit, Elon Musk (i cili ishte i pranishëm edhe në darkë), ish-kryeministri japonez Taro Aso dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, i cili ishte i pari që e mori në vitin 2020. CR7 është sportisti i parë që e merr këtë dhuratë, një tjetër rekord në karrierën e tij.

The post Donald Trump i bëri dhuratë të jashtëzakonshme CR7 në “Shtëpinë e Bardhë”, është për shumë pak njerëz appeared first on Telesport.